Nga Mero Baze
Projekti i Mini- Shengenit ka prodhuar një perceptim konflikti mes Kosovës dhe Shqipërisë, por jo aq shumë për shkak të përmbajtjes që ka projekti i Mini-Shengenit, se sa nga përdorimi politik në Shqipëri.
Këtë e shpjegon më së miri se histeria ndaj projektit, nuk lidhet as me takimin e parë në Novi Sad, as me të dytin në Ohër, por me takimin e tretë në Tiranë, ku nuk është se ka ndodhur ndonjë gjë e re.
E vetmja gjë e re, është se në Kosovë ndërkohë që bëhej takimi i tretë në Tiranë, nuk ka ende qeveri, dhe se secili prej udhëheqësve politikë atje, mendon se fiton pikë po të sulmojë Edi Ramën si tradhtar.
Në këtë spirale pastaj u fut shtypi i Kosovës, Akademia, dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët po ashtu e shikojnë betejën me Edi Ramën, si një shans të mirë për t’u dukur patriotë dhe për t’iu shmangur përgjegjësive të tyre të brendëshme. Duke mos guxuar të flasin për problemet e tyre, ata janë komodë, të duken agresivë me Edi Ramën.
Kjo gjë nuk ndodhi me shqiptarët e Maqedonisë, të cilët janë një e treta e shtetit atje, dhe janë forcë vendimtare në qeverinë e Maqedonisë.
Askush prej tyre, as nuk akuzoi Edi Ramën si tradhtar, dhe as nuk shprehu paranojën apo frikën, se me Mini-Shengenin e qeverisë së tyre, shqiptarët do anashkalohen.
Ali Ahmeti nuk është më pak patriot se bashkëluftëtarët e tij të UÇK në Kosovë, apo se pacifistët e atjeshëm. Po ashtu, dhe të tjerët.
Të njëjtin qëndrim po mbajnë dhe shqiptarët e Malit të Zi. As ata nuk janë të shqetësuar se po diskriminohen si shqiptarë, apo se po bëhet ndonjë tradhti kombëtare.
Dëmi real tani nuk është se politikanët dhe mbështetësit e tyre në Kosovë, secili për llogari të vet, kanë vënë në shënjestër Edi Ramën, por se kjo gjë ka krijuar një reaksion në Shqipëri, për shkak se beteja është personalizuar me Edi Ramën.
Fakti që opozita e mbetur pa kauzë në Shqipëri, befas është gdhirë patriote, krijon një lloj averzioni ndaj ndërhyrjes politike të Kosovës në Shqipëri. Dhe ky është një shkak që nxit një lloj anti-kosovarizmi të padobishëm.
Në Shqipërinë e viteve ‘90, para konfliktit të Kosovës, Shqipëria vuante nga një sëmundje e tillë.
Anti-kosovarizimi i viteve ‘90, para konfliktit të vitit ‘99, shfaqej gati në formën e një racizmi ndërshqiptar. Unë që punoja me shtypin e Kosovës, e ndieja bezdinë e të identifikuarit me Kosovën, si një vend që e përdorte politikisht Sali Berisha, për propagandë patriotike.
Aq shumë prodhonte anti-kosovarizëm kjo gjë, sa shumë nga kolegët e mi, që këto ditë për shembull, vajtojnë për Mini-Shengenin, atëhere bënin artikuj të hidhur (i keni tek “Koha Jonë”), se Ibrahim Rugova duhet të dilte në zgjedhjet serbe, se ai duhet të njihte shtetin e Milosheviçit etj.
Nuk po u citoj emrat se besoj i mbajnë mend artikujt e tyre. Nikolla mund të na ndihmojë t’i ribotojë.
Po kaq reaksion kam ndjerë nga Kosova, në vitin 1996 -1997, kur Berisha tentoi të përzihej në punët e brendshme të tyre, duke tentuar të zëvendësojë Rugovën me të tjerë, t’i nxisë të përkrahin protestat në Serbi, e kështu me radhë.
Kishte gati një racizëm të Kosovës ndaj Shqipërisë, një bezdi ekstreme nëse identifikoheshe me Berishën, kryesisht brenda LDK-së.
E njëjta gjë po ndodh dhe tani. Të mbetur pa kauzë dhe pa një qëndrim realist mbi një nisëm rajonale, që në fund të fundit prodhon vetëm klimë besimi në rajon, thuajse të njëjtët janë entuziasmuar nga sulmi që vjen nga Kosova mbi Edi Ramën, dhe po përdorin Kosovën si kamzhik ndaj një kundërshtari që nuk e mundin dot.
Kjo gjë nuk e mund Edi Ramën. Nuk e mund, se së pari nuk është e vërtetë, por mbi të gjitha se kjo nuk është betejë e tyre, por është keqpërdorimi i Kosovës në betejën e tyre.
Kosova nuk duhet të futet kurrë në llogaritë politike mes shqiptarëve të Shqipërisë.
Ajo nuk duhet të votohet, nuk duhet të jetë objekt debati politik, por konsesual, dhe mbi të gjitha, nuk duhet të jetë palë në zhvillimet në Shqipëri.
Nëse ndodh kjo që po tentojnë të bëjnë disa kokëboshë nga Kosova që paguhen nga vilat e Lalzit, i bie që në Shqipëri kur të votohet për Edi Ramën, të votohet dhe për Kosovën, dhe pastaj Kosova të identifikohet me dy vilat në Lalëz, ku ndahen para për këtë fushatë.
As e kundërta nuk duhet të bëhet. As në Kosovë nuk duhet votuar dikush duke pasur parasysh Shqipërinë, pasi as Shqipëria nuk mund të hidhet në votë duke i identifkuar me një person, që mendon se duke mbajtur flamurin e Shqipërisë në zyrë, ka liçencën e patriotizmit.
Kjo prodhon vetëm një dëm në Shqipëri, që është dëm real. Krijon dhe ringjall atë frymën e anti-kosovarizmit, që është bezdisëse, e pavërtetë dhe gati raciste.
Në vitin 1991 e mbrapa e merrnin Kosovën inat në Tiranë prej politikës Berishës, dhe e identifikonin me një kosovar që shiste limonatë të prishur tek hotel “Tirana”.
Tani në fakt e marrin inat nga impotenca e opozitës në Shqipëri, që përdor garën “patriotike” të kosovarëve dhe e identifikonin me ca kosovarë që u shesin limonada patriotike para “Rognerit”.
Por thelbi është se sa herë që Kosova përdoret në llogaritë e brendshme politike të Tiranës, aq herë dëmtohet Kosova, jo Tirana. Dhe e kundërta njësoj.