Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe Banka Botërore mbështesin qeverinë shqiptare për të vlerësuar nevojat dhe hartuar planin e rimëkëmbjes, që do të paraqitet në Konferencën e Donatorëve që do të zhvillohet në fillim të vitit 2020. Me kërkesën e Qeverisë së Shqipërisë, Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe Banka Botërore janë angazhuar të kryejnë së bashku një vlerësim gjithëpërfshirës të pasojave, ndikimeve dhe nevojave që vijnë nga tërmeti i 26 nëntorit. Katastrofa natyrore i kushtoi Shqipërisë jetën e 51 personave dhe la të paktën 14,000 banorë pa shtëpi. Qindra ndërtesa kanë pësuar dëme serioze.
Objektivi kryesor i Vlerësimit të Nevojave Pas Katastrofës (PDNA) është të ndihmojë qeverinë e Shqipërisë për të vlerësuar ndikimin e tërmetit dhe për të përcaktuar një strategji për rimëkëmbjen, përfshirë përllogaritjen e kostove të saj financiare. Ministri Blendi Çuçi, në takimin e parë për koordinimin e PDNA tha “Qeveria e Shqipërisë reagoi me shpejtësi në përgjigjen ndaj por nga ana tjetër është me fat që ka mbështetjen e Bashkimit Evropian, Kombeve të Bashkuara dhe Bankës Botërore që po ofrojnë mbështetjen e kërkuar teknike dhe financiare për të realizuar PDNA“.
Koordinatorja e Qeverisë për PDNA-në, deputetja Milva Ekonomi tha “PDNA do të na ndihmojë të kuptojmë sferën e plotë të ndikimit të tërmetit – nga dëmtimi i ndërtesave të banimit deri tek ndikimi në turizëm dhe të gjitha gjërat që përfshihen – dhe të përgatisim një plan të besueshëm, gjithëpërfshirës të rimëkëmbjes, tek i cili të mund të na ndihmojnë të investojmë miqtë dhe partnerët tanë”.
Sipas njoftimit, nën drejtimin vendas, vlerësimi do të llogarisë ndikimin e përgjithshëm shumë-sektorial të tërmetit në zhvillimin socio-ekonomik të rretheve të prekura edhe në një nivel më të gjerë kombëtar, dhe do të propozojë një strategji të rimëkëmbjes me përllogaritjet e kostove dhe një afat kohor. Ekipet e specializuara – me ekspertë ndërkombëtarë dhe vendas – kanë nisur të punojnë së bashku me zyrtarët qeveritarë që nga 16 dhjetori për të rënë dakord për metodologjitë e mbledhjes së të dhënave.
Ata aktualisht janë duke vlerësuar ndikimin në sektorët e shëndetësisë, arsimit, strehimit, turizmit dhe punësimit, në infrastrukturën e komunitetit. Sektorët e ndërlidhur të makroekonomisë dhe varfërisë, mbrojtja sociale dhe mbrojtja civile si dhe ulja e rrezikut nga katastrofat janë parë me kujdes. “BE qëndroi pranë Shqipërisë që nga dita e parë pas tërmetit me dhembshuri dhe veprim. Ne jemi duke drejtuar Vlerësimin e Nevojave të Pas katastrofës, i cili do të jetë baza për konferencën e donatorëve udhëhequr nga BE, që do të zhvillohet në fillim të vitit 2020“, tha Ambasadori i BE në Shqipëri Luigi Soreca.
“OKB përmes shumë agjencive të saj – veçanërisht UNDP, UNICEF dhe OBSH përfshirë dhe agjenci të specializuara si UNESCO, FAO dhe Organizata Botërore e Turizmit – po kontribuon në këtë vlerësim të shpejtë për të ndihmuar Shqipërinë të rimëkëmbet shpejt. Ndërtimi i kapaciteteve institucionale të Shqipërisë për të zvogëluar rrezikun dhe për të përmirësuar reagimin e ardhshëm ndaj katastrofave duhet të jetë një përparësi” tha Koordinatori i Përhershëm i OKB në Shqipëri, Brian J. Ëilliams.
“Banka Botërore po punon ngushtë me qeverinë shqiptare, BE dhe OKB si pjesë e ekipit të PDNA“, tha Maryam Salim, Menaxhere e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri. “Banka Botërore ka përgatitur një vlerësim të shpejtë të situatës duke përdorur, me mbështetjen e BE, metodologjinë globale të shpejtë për vlerësimin e dëmeve nga katastrofa (GRADE) e cila siguron përllogaritjet fillestare të dëmeve ekonomike përgjatë sektorësh dhe shpërndarjen e tyre hapësinore dhe do të futet në PDNA. Ne presim që PDNA të prodhojë një sasi të dhënash dhe një analizë të dëmeve dhe të rekomandojë veprime për rimëkëmbjen“. PDNA do të përfundojë me një raport gjithëpërfshirës duke përfshirë një strategji rimëkëmbjeje për t’u paraqitur nga Qeveria në Konferencën e Donatorëve që do të zhvillohet në fillim të vitit 2020.
g.kosovari