I nderuar zotëri, Elbasani nuk është qyteti i grave të shëmtuara.
Gratë e shëmtuara që ti ke njohur nuk janë gratë e Elbasanit – janë k…e Elbasanit.
Këtë kastë të ka ofruar qyteti ty, sepse këtë ke kërkuar.
Dhe të gjitha qytetet kanë nga këto gra të shëmtuara.
Një përgjigje të përafërt i dha Madam Fi-fi-ja e Mopasanit oficerit prusian, veçse ai ishte pushtues i Parisit, jo deputet i qytetit.
Po qyteti im të mbyt me gra të bukura. Eshtë mami im.
E bukura, e mrekullueshmja, pa rrudha ne faqe e pa thinja mbi krye.
Princesha e qytetit tim.
Është tezja ime, sharm e klas, nur e miklim.
Eshtë nusja e xhaxhait tim, që edhe pse gjyshe ka harruar të plaket, ka ngrirë kohën dhe është ende nuse.
Është mikja ime, e bukur si hëna në pasditet e të dielave.
Janë shoqet e mia që bëjnë adoleshentët të drithërojnë kur u ecin afër, edhe pse dekada i kanë ca mbi supe…
Aromë jete e pastërtie.
Ndjehem vetë e bukur kur shoh veten të pasqyruar me nderim në sytë e fëmijëve të mi.
Edhe në qofshin të thinjura gratë tona, pa bojëra e ngjyra gjithfarësh, kanë argjendin e viteve mbi flokë dhe e bukura u rri tek aroma e gruas dhe “çehrja e zonjës”.
Nuk u kërcet taka nga lartësia, po u shkëlqen këpuca nga pastërtia dhe fundi u rri aty ku e ka vendin.
U ka lezet fjala kur dalin e pyesin: “Qysh je te keqen e gocës/çunit?”
Nëse do të kishe ecur në këmbë rrugëve të Elbasanit, do të kishe ndeshur gjyshet. Se qytetit im ka shumë gjyshe. Janë aq të bukura, me rozë nëpër faqë, si pluhur dashurie….
Nga një grua e bukur elbasanase ke origjinën edhe ti.
Në foto e kam parë…Shumë e bukur ka qenë edhe ajo.
N. Shuteriqi