Arjan Dyrmishi, ekspert i çështjeve të sigurisë, tha se rikthimi i personave të radikalizuar sërish në vendin e tyre është një proces i gjatë, që kërkon kohë, bashkëpunim ndërkombëtar dhe se jo çdo rast ka të njëjtën zgjidhje apo mënyrë operacionale.
Dyrmishi tha në “Real Story” se jo të gjitha rastet si Alvini mundet të zgjidhen në të njëjtën mënyrë pasi operacionet kanë kosto njerëzore dhe politike dhe se Shqipërisë, si një vend i vogël që është, i duhet ndihma e ndërkombëtarëve për operacione të tillë. Në rastin e Alvinit ishte Italia, ndërsa në raste e tjera duhen gjetur partnerët e duhur pasi çdo vend ka politikat e tij ndaj terrorizmit.
“Institucionet tona kanë bërë atë që kanë pasur të mundur, ne nuk kemi forca të tilla që të jenë të stërvitura për të kryer operacione të tilla në vende të huaja.
Në rastin e Alvinit, Shqipëria pati mbështetje edhe nga vendet partnere, por jo gjithmonë është e aplikueshme edhe në raste të tjera pasi kosto e jetës njerëzore, operacionale dhe politike janë të larta dhe jo gjithmonë merren përsipër nga shtetet.
Bashkëpunimi me vendet partnere lidhet edhe, me politikat që ato vende ndjekin ndaj terrorizmit. Diskutimi se si u shpëtua Alvini të shpëtohen edhe të tjetër më duket pak populist” tha Dyrmishi.