Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të lexojë qartë rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit, në mënyrë që të arrijnë një marrëveshje të balancuar për qeverisje.
Sipas kreut të LDK-së, dy partitë janë gati të barabarta, dhe për këtë arsye në arritjen e koalicionit të ardhshëm qeverisës duhet të përfshihen gjitha postet institucionale, përfshirë postin e presidentit.
Ai këto deklarata i bëri me rastin e shënimit të 30-vjetorit të themelimit të LDK-së, ku mes tjerash kërkoi edhe unitet brenda partisë.
“Qeveria jonë e LDK-së dhe qasja jonë, së bashku me Vetëvendosjen është që të ndajmë përgjegjësitë në harmoni me votën, të trajtojmë të gjitha pozitat me përgjegjësitë që do të sfidohemi gjatë mandatit katër vjeçar dhe të sigurojmë një balancim të domosdoshëm të pushteteve në mënyrë që t’i kontribuojmë demokracisë së vendit”, tha Mustafa.
Mustafa shtoi se partia e tij ‘i ka lexuar në mënyrën e duhur’ rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit, për këtë, i bëri thirrje edhe subjektit të parë të ketë të njëjtën qasje.
“Ne besojmë se edhe Lëvizja Vetëvendosje duhet të lexojë qartë rezultatet dhe të pranojë se jemi subjekte gati të barabarta që kemi dal nga zgjedhjet. Me një diferencë prej një deputeti për të cilin ne jemi pajtuar që parimisht pozita e kryeministrit t’i takojë partnerit tonë që nga hyrja në fushatë në këto zgjedhje”, deklaroi Mustafa.
Krahas kësaj lideri i LDK-së tha se partia e tyre meriton më së paku presion publik në procesin e arritjes së marrëveshjes qeverisëse.
“Ne kemi marrë përgjegjësi për Kosovën në gjitha fazat e pasluftës dhe të paraluftës. Prandaj më së paku meritojmë dhe kemi nevojë për presion publik dhe mediatik gjatë këtij procesi të marrëveshjes. Sidomos nuk kemi presion nga ata që gjithmonë kanë qenë kudër LDK-së dhe i kanë mbrojtur portat e të tjerëve”, u shpreh Mustafa.
Kreu i LDK-së bëri thirrje edhe për unitet brenda partisë, ku sugjeroi që gjitha ambiciet personale të tejkalohet dhe mos sjellin përçarje.
“LDK ka nevojë për unitet që ambiciet personale dhe diversitetin natyror të mendimeve duhet të kalojmë ndryshe, e jo përmes përçarjeve brenda subjektit tonë”, tha ai.
Në jubileun e 30-të të themelimit të LDK-së, Mustafa kërkoi edhe zbardhjen e vrasjeve të zyrtarëve të kësaj partie, ku tha se ndriçimi i rasteve është borxh dhe detyrim për të ardhmen e Kosovës, teksa theksoi se në arritjen e marrëveshjes finale të dialogut me Serbinë nuk duhet të cenohet sovraniteti i Kosovës. /e.s/