Uashingtoni ka theksuar sërish kërkesën, që Presidenti sirian Bashar al-Assad të largohet nga pushteti, teksa përgatitet për bisedimet e para për paqe me përfshirjen e aleatit kryesor të Assadit, Iranin, duke reflektuar kështu pozicionin e palëkundur, pavarësisht ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në krahun e kreut sirian. Përgjatë 4 viteve të luftës civile në Siri, e cila ka lënë mbi 250 mijë njerëz të vdekur dhe mbi 10 milionë njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre, aleati kryesor i Assadit në rajon, Teherani nuk është lejuar të marrë pjesë në konferencat ndërkombëtare për paqen, të cilat faktikisht kanë përfunduar të gjitha si të dështuara.
Por, vetëm 4 javë pasi Rusia nisi bombardimin e armiqve të Assadit në terren, vendet që kërkojnë largimin e tij nga posti i Presidentit, përfshi këtu Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Europian dhe Arabinë Saudite, kanë rënë dakord t’i japin një vend pjesëmarrësi Iranit në tryezën e negociatave.