Kryeministri në largim Ramush Haradinaj këshillon qeverinë e re VV-LDK që të vazhdojë të mbajë taksën 100% ndaj Serbisë si edhe të ndërtojë autostradën e Dukagjinit. Politikani mendon se gjendja ka ndryshuar me deklaratat e fundit, ku nga drejtuesit serbë mohohen krimet e luftës në Kosovë.
“Për taksën ka ndryshuar gjendja. VV dhe LDK do ta kenë edhe më zor me heq, pas mohimit të krimeve serbe nga ana e Vuçiçit, nga Gjuriçi, Vulini, Daçiçi. Nuk e kuptoj se si mundet LDK-ja dhe VV-ja me heq taksën dhe me rikthye pushtimin ekonomik të Serbisë në Kosovë. Të cilës Serbi? Ajo që të ka vrarë dhe tash e mohon edhe krimin. Po të vret për së dyti. I bëj apel LDK-së dhe VV-së që mos të gabojnë me heq taksën, se bëjnë gabim të madh dhe tragjik dhe politik. Sepse tani do të mbesin duar thatë se nuk kanë çka të japin më në këmbim të njohjes dhe do të na kushton shtrenjtë”, deklaroi ai.
Sa i përket ndërtimit të autostradës së Dukagjinit, për të cilën VV-ja dhe LDK-ja janë shprehur kundër, ai jep argumentet e tij.
“Duhet t’i zgjerojmë edhe rrugët e vjetra ekzistuese, por nëse e merr në përgjithësi rajonin e Dukagjinit ka nevojë për autostradë që është e gjithë Kosovës dhe jo vetëm e Dukagjinit. Është e nevojshme dhe besoj shumë që me marrjen e përgjegjësisë do të ndryshon edhe retorika zgjedhore, sepse nuk kanë pse ta pengojnë zhvillimin e vetvetes”. /e.s/