Gjatë intervistës së tij për televizionin boshnjak “O Kanal”, presidenti Ilir Meta ka falenderuar edhe Bosnje Hersegovinën për solidaritetin dhe ndihmën e dhënë ndaj tërmetit.
I pyetur nga gazetari, nëse ka mundësi për të pasur një tërmet tjetër, Meta është shprehur se nuk është shkencëtar probabiliteti ekziston dhe duhet pasur kujdes.
Sipas Kreut të Shtetit, nisur nga frekuencat e tërmeteve në vendet e tjera si Greqia, Italia apo Bosnja, është e qartë se jemi në një zonë shumë të ndjeshme.
Gazetari: Ne e nisëm këtë bisedë me një pyetje në lidhje me tërmetin dhe dëshiroj të përfundoj po me një pyetje në lidhje me tërmetin. A ka ndonjë informacion në lidhje me mundësinë për të pasur një tërmet tjetër?
Presidenti Meta: Unë nuk jam shkencëtar, por do të isha shumë i kujdesshëm për rrezikun e tërmeteve në Shqipëri dhe rajon, sepse nëse ndjekim me vëmendje të gjitha këto zhvillime dhe këtë frekuencë të tërmeteve në vendet e tjera si Greqia, Italia, etj. Bosnja, etj., është e qartë se jemi në një zonë shumë të ndjeshme.
Unë kam studiuar për ekonomi dhe një nga lëndët kryesore të studimit të ekonomisë është statistika dhe probabiliteti. Në bazë të kësaj, ne duhet të jemi gjithmonë të përgatitur për t’u përballur me një emergjencë të tillë civile, sepse nuk mund ta parashikojmë saktësisht, por duhet të jemi përgjegjës dhe vizionarë.
Asnjëherë nuk dëshirojmë që të ndodhë në asnjë vend të botës, por nëse ndodh duhet të jemi të gatshëm të përballemi me të gjitha pasojat, sepse përgjegjësia e liderëve nuk është të qahen në momente të tilla, por të udhëheqin dhe të komandojnë këtë operacion. Të inkurajojnë, t’u japin shpresë njerëzve, duke pasur gjithmonë ekipe shumë profesionale të shpëtimit dhe reagim shumë të mirë-organizuar dhe të centralizuar në raste të tilla. /e.s/