Ecuria e reformës në drejtësi, lëvizja e lirë, migracioni, politika e vizave, bashkëpunimi policor, lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër terrorizmit, bashkëpunimi në luftën kundër narkotikëve, bashkëpunimi gjyqësor, çështjet civile dhe penale, kanë qenë disa nga temat për të cilat ka folur zv/ministrja e Brendshme, Romina Kuko. Kjo e fundit gjatë një interviste për gazetën “SOT”, teksa sqaroi se çfarë do të sjellin kapitujt 23 dhe 24 të integrimit, theksoi se lufta ndaj korrupsionit është thelbësore. Sipas zv/ministres Kuko, qeveria ku ajo bën pjesë është e vendosur për të thelluar reforma në kuadër të procesit të integrimit europian.
-Znj. Kuko Shqipëria u përball me një tërmet të fortë, i cili la 51 viktima dhe qindra banesa të dëmtuara. Ministria e Brendshme ka rol të rëndësishëm në menaxhimin e situatës. A ka sot një shifër reale të pasojave që la tërmeti?
Tërmeti i 26 nëntorit është padyshim fatkeqësia më e madhe natyrore që ka goditur vendin tonë që prej shumë dekadash. Një befasi tragjike, e cila në pakashumë 30 sekondat e veta mori jetë njerëzish, fëmijësh, të moshuarish, pa diferencuar ashtu si vetë natyra nuk diferencon kurrë në furitë e saj. Në 30 sekonda, jetë humbën, të tjerë u lënduan, të tjerë humbën banesat e tyre, mijëra humbën jetën e tyre siç e njihnin deri në atë moment, çdo gjë ndryshoi për ta. Të gjitha institucionet shtetërore ishin më këmbë minuta pasi tërmeti ndodhi. Pati mobilizim të menjëhershëm, emergjencat civile, policia e shtetit, ekipet mjekësore, të gjithë nxituan për në vendngjarje. Natyrisht, është detyra e tyre, por unë gjithmonë preferoj të kap edhe planin njerëzor të një nëpunësi/efektivi/funksionari, sepse duke kuptuar planin njerëzor të tyre, arrin t’i motivosh ata. Dhe në planin njerëzor, gjithë kjo ushtri njerëzish që vraponte të ndihmonte bashkëqytetarët në nevojë, kishte lënë pas një familje që gjithashtu kishte pësuar dëme nga tërmeti dhe që kishte nevojë për ta. Nuk do ta harroj kurrë imazhin e një drejtuesi të respektuar policie, i cili ishte zbardhur nga pluhuri i rrënojave në tentativë për të drejtuar efektivët në kërkim-shpëtim, as fytyrën plot ankth, dëshpërim, por me një sens mbinjerëzor detyre të zjarrfikësit Cara, të cilin fati tragjik e kishte thirrur këtë radhë të shpëtonte ndër njerëz edhe familjarët e vet. Kostot e dëmeve janë ende duke u përllogaritur, është një proces që duhet kryer me kujdes dhe durim, në bazë të këtij vlerësimi do të kryhet dhe faza e dytë, ajo e rimëkëmbjes, jo vetëm rindërtimit. Dhe them rimëkëmbje sepse siç e përmenda dhe më sipër, mijëra njerëzve ato sekonda ju ndryshuan jetën, mënyrën e jetesës siç me shumë sakrifica e kishin ndërtuar, përditshmëritë e tyre. Fëmija që shkon në shkollë, prindërit me rutinën e tyre të jetës, lidhjet familjare, kujdesi për gjërat e vogla të jetës së përditshme. Kostoja njerëzore është ajo më e madhja dhe kjo nuk ka asnjë njësi matëse përveçse aftësisë për rimëkëmbje.
-Mënyra se si u menaxhua situata pas tërmetit ka sjellë dhe vlerësime dhe kritika. A ka shteti shqiptar kapacitete për të menaxhuar situata të tilla dhe pas kësaj situate apo mendohet që të investohet më shumë në këtë aspekt?
Shih, këto situata të jashtëzakonshme janë mjedisi perfekt për këdo që kërkon të gjejë si heroin si tradhtarin. Edhe meqë në Shqipëri jemi ende në fazën ku mendimi kritik konsiderohet si diçka e pashëndetshme, kemi polarizim të qëndrimeve, njëra palë sheh heronj, tjetra sheh në rastin më të mirë apati dhe në më të keqin, tradhti. Por tani që ka kaluar pak kohë dhe të gjithë janë më të ftohtë në gjykimin e tyre-ftohtësi për të cilën kemi aq shumë nevojë, emotiviteti është një nga dëmet më të mëdha që i shkaktojmë vetes- kuptojmë se ekipet e kërkim-shpëtimit shqiptare janë ato që në fakt luftuan të vetme 12 orët e para, janë ato që shpëtuan shumicën e atyre 40 jetëve të tjera. Sa i përket kontributit të partnerëve të huaj, është padyshim i paçmuar dhe plotësisht mbështetës për ditët në vijim, por le të dalim nga mentaliteti se “të huajt janë ata që i vendosin pikat mbi i” dhe të vlerësojmë njerëzit tanë. Sepse ishin profesionistë, të dedikuar me vetëmohim në punën e tyre. Të kritikosh në një moment të tillë, ku të gjithë janë të tronditur, të pasigurt për furinë e ardhshme të natyrës, ku po luftohet për jetë njerëzore duhet të jesh minimalisht cinik i pashpresë dhe maksimalisht malinj. Është e lehtë të rrish në kolltuk me pultin në një dorë dhe celularin në dorën tjetër dhe të japësh mend, është shumë e lehtë dhe gjithashtu shumë mendjelehtë.
-Ju jeni kryetare e Grupit Ndërinstitucional të Punës për kapitullin 24, në negociatat me BE. Çfarë do sjellë hapja e këtij kapitulli?
Kapitulli 24 “Drejtësia Liria Siguria”, së bashku me kapitullin 23 janë kapitujt e parë që do të hapen në kohën kur negociatat me Brukselin të marrin dritën jeshile. Europa është në thelb një hapësirë ku drejtësia, liria dhe siguria janë baza e funksionimit të gjithë këtij territori gjeografik dhe politik në tërësi. Vetë Bashkimi Europian nisi si një projekt paqeje dhe bashkëpunimi ndërmjet vendeve të cilët më parë kishin luftuar kundër njëri-tjetrit. Në mënyrë që një bashkim i shumë shteteve në një union të funksionojë në paqe, drejtësia dhe siguria plus liritë themelore janë kusht i domosdoshëm. Kapitulli 24 i Acquis, ligjeve bazë të BE, përfshin të gjithë elementët që kjo të jetë e mundur. Çështje si lëvizja e lirë, migracioni, politika e vizave, bashkëpunimi policor, lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër terrorizmit, bashkëpunimi në luftën kundër narkotikëve, bashkëpunimi gjyqësor, çështjet civile dhe penale, të gjitha këto kanë nevojëpër rregulla të përbashkëta, të cilat nëse nuk ndiqen në unison, krijojnë kërcënim për kohezionin e unionit. Ndaj dhe Komisioni Europian është aq rigoroz në plotësimin e të gjitha këtyre kritereve sepse secili shtet që aspiron të jetë pjesë e BE, duhet të ketë kapacitete të plota administrative, kapacitete të agjencive ligjzbatuese për të arritur standardet e duhura. Me fjalë të thjeshta, kapitulli 24 është “laboratori” ku ligjet tona në fushën e Sigurisë, Drejtësisë dhe Lirive bazë përmirësohen dhe përafrohen me ato të Bashkimit Europian dhe ku institucionet tona pësojnë transformime sipas orientimeve të BE. Duket si proces i lehtë, në fakt është proces tejet i dhimbshëm. Sepse nevojitet angazhimi i ekipeve të tëra për të bërë një punë cilësore.
-Si e shihni ecurinë e reformës në drejtësi dhe a do të ketë luftë ndaj korrupsionit në nivele të larta, kërkesë kjo edhe nga Gjermania e Brukseli?
Reforma në drejtësi është pikëprerja e qartë mes së shkuarës dhe së ardhmes së vendit tonë. Për dekada me radhë, shumë jetë njerëzish mund të ishin shpëtuar nëse drejtësia do të ishte realisht e verbër dhe jo e njëanshme. Gjatë punës sime të gjatë në luftën kundër dhunës në familje, kam kuptuar se shumë nga gratë të cilat kanë humbur jetën nga dhuna mund të ishin shpëtuar, nëse gjykatat nuk do kishin dhënë ato vendime skandaloze, të cilat i kanë lënë tërësisht të pambrojtura dhe i kanë nxjerrë sërish në pritën e agresorit. Kjo është diçka që më ka lënë një revoltë të madhe brenda vetes edhe në planin njerëzor, diçka e cila duhet të vihet në vend. E thënë këtë, reforma në drejtësi, goditja e korrupsionit janë së pari të domosdoshme dhe urgjente për ne vetë dhe më pas për kërkesat nga partnerët tanë strategjikë. Jemi në moment interesant, tani që institucionet e drejtësisë së re po ravijëzohen njëri pas tjetrit dhe ku duket se llogaridhënia do të jetë fjala kyçe e proceseve të ardhshme. Si dikush që e ka të fuqishëm sensin e drejtësisë, jam e bindur se në çdo epokë, vjen një kohë ku gjithkush jep llogari për gjithçka dhe se koha i përngjet atij llogaritarit të sertë e të ftohtë plak, që të vendos në peshore dhe të kërkon llogari një më një. Historia e njerëzimit e ka treguar këtë, gjithmonë llogaritari i sertë dhe i ftohtë është shfaqur. Le të shohim.
-Ju mbuloni fushën e terrorizmit. Sa e rrezikuar është Shqipëria nga terrorizmi dhe influenca e vendeve të tjera?
Lufta Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Terrorizmit kanë qenë pjesë e portofolit tim në detyrën e mëparshme në OSBE dhe si e tillë kam patur rastin të shoh në mënyrë kapilare të gjitha zhvillimet në vend, por edhe në raport me rajonin. Shqipëria konsiderohet një vend i cili ka arritur të neutralizojë rrezikun e para gjashtë viteve ku qytetarë të shumtë të radikalizuar të Ballkanit Perendimor udhëtuan për në Siri dhe u bënë pjesë e ISIS. Ne ndryshuam Kodin Penal në mënyrë të menjëhershme duke kriminalizuar pjesëmarrjen në konflikte jashtë kufijve, riorganizuam strukturat tona të anti-terrorit dhe me mbështetjen e partnerëve amerikanë dhe ata europianë arritëm të blindonim vendin tonë nga rreziqe të mëtejshme. Deri tani Shqipëria konsiderohet si pararojë në Ballkanin Perendimor për mënyrën se si ka menaxhuar këtë situatë dhe për mbajtjen e rrezikut në nivel të ulët. Sa i përket influencës nga vende të tjera, ne i kemi dhënë provat nëpërmjet neutralizimit të një sulmi gjatë ndeshjes së futbollit me Izraelin si dhe me ekspozimin e një sulmi nga celula të tjera në mars të këtij viti dhe vazhdojmë të jemi vigjilentë. Ajo që kemi bërë është gjithashtu ndërgjegjësimi i popullatës, sidomos të rinjve për rreziqet e mundshme nga ky fenomen mbarëbotëror. Misioni kryesor dhe i ardhshëm tani është kthimi i fëmijëve dhe grave nga vendet e konfliktit.
– Znj. Kuko, ju flisni për operacione policore, antiterrorizëm, procese politike. Si është të jesh grua në politikë dhe në një ambient i cili sipas traditave të rajonit tonë është i perceptuar më tepër si mashkullor?
Përpara se të vija në këtë pozicion unë kam punuar në Ministrinë e Mbrojtjes, në proceset e integrimit në NATO, një zgjedhje e cila në fakt më gjeti sepse u bëra pjesë e një intershipi si e sapodiplomuar jashtë aty, të cilin e pashë strikt si një praktikë 3 javore, por që më pas u transformua në 4 vite të paharrueshme intensive. Duke u mbrujtur, që në moshë shumë të vogël me sensin e detyrës dhe me idenë se në punë ajo që duhet është profesionalizmi dhe devotshmëria, mjedisi ku kam operuar ka qenë përherë për mua një mjedis të cilin e kam konkurruar me ftohtësi profesionale. Koha më dha të drejtë kur pas Ministrisë së Mbrojtjes iu bashkova OSBE, ku për 8 vite rresht jo vetëm që mësova jashtëzakonisht shumë, pata mundësi të jem brenda një laboratori politikash/strategjish, i cili ngërthente politikat e sigurisë së 57 shteteve dhe që parimi bazë i tij ishte profesionalizmi i ftohtë. Ky është dhe parimi që ndjek në këtë detyrë. Nëse je profesionist, mjedisi përreth nuk të influencon dot, nuk luan loja luftash me askënd, je në konkurrencë vetëm me veten dhe ndërton një punë në ekip pa të cilën suksesi nuk është gjithnjë i garantuar. Sa i përket politikës, politika është arti i së mundurës. Është mjeti nëpërmjet së cilit vizioni që dikush ka arrin dhe realizohet dhe në mënyrë që të jesh në anën e drejtë të historisë, kur je në politikë vizioni bazë që dikush duhet të ketë është përmirësimi i jetëve të qytetarëve, ruajtjen e interesit kombëtar, qoftë kjo edhe nëpërmjet reformave të dhimbshme, të cilat për një kohë të shkurtër mund të mos jenë shumë popullore. Gabimi i një brezi tjetër politikanësh në vendin tonë ka qenë të parit e titujve apo pozitave si ofiqe ndërkohë që unë dhe brezi im (shumë prej tyre me të cilët ende rrahim ide se si të arrijmë të bëjmë më të mirën) e shohim pastërtish si shërbim. Asnjë meritë boshe, merita jote e vetme është kur ti përfaqëson të gjithë në mënyrë të drejtë, kur i shërben atyre dhe kur je ti që jep nga vetja, shpesh me vetëmohim duke sakrifikuar jetën e zakonshme, gjumin, qetësinë familjare. Është kthyer në klishe tashmë shprehja se të jesh grua në politikë është e vështirë kudo. Po, ende në subkoshiencën tonë gratë duhet të japin dyfish prova për t’u konsideruar si të afta. Por në pothuajse pesëmbëdhjetë vite eksperiencë pune, vite intensive, kam parë se gratë në fakt janë jo vetëm të afta, por frymëzuese në mënyrën se si menaxhojnë punën, me përkushtim dhe profesionalizëm. Disa prej tyre janë dhe do të mbeten gjithmonë model për mua, gra të drejta dhe serioze, njerëzit me të cilët unë konsultohem sa herë që jam përpara një dileme.
-Keni shumë dilema gjatë punës suaj?
Kaloj një proces të pamëshirshëm me veten, duke peshuar opsionet për një mendim apo vendim të caktuar. Konsultohem shumë me ata që mendoj se mund të më japin një mendim të drejtë apo të vlefshëm. Por pasi marr një vendim është shumë e vështirë, pothuajse e pamundur ta zhbëj atë.
– Cilën konsideroni si armën më të fuqishme tek një njeri?
Fjalën. Mallkimi më madhështor sa dhe i tmerrshëm që kemi në Shqipëri është “t’vdekt fjala”! (Sot)