Arben Kraja, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme u zgjodh drejtues i SPAK. Ai e ka filluar karrirën e tij në organin e akuzës para ’90 dhe prej dy dekakadash punon në Prokurorinë e Përgjithshme, ku ka drejtuar sektorë të rëndësishëm si task-forca kundër krimit dhe korrupsionit.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurorit Arben Kraja nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.
Bashkëshortja e tij, Gladiola Kraja është shefe sektori në Bankën e Shqipërisë.
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se prokurori Arben Kraja zotëronte pasuri me vlerë 3 milionë lekë në vitin 2003 – kur deklaroi për herë të parë pasurinë. Referuar deklaratës së vitit 2003, ai kishte një apartament 2+1 të blerë me kredi në vlerën e 2.5 milionë lekëve dhe një automjet tip Benz-Mercedez 190 me vlerë 500 mijë lekë.
Në deklaratën e tij fillestare Kraja ka deklaruar gjithashtu një shtëpi 117 m2, me 542 m2 truall, për të cilën ai shkruan se është trashëguar dhe nuk jep një vlerë në lek.
Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e prokurorit Kraja është 27.4 milionë lekë. Kraja ka regjistruar një rritje 9.2 herë të pasuisë bruto familjares nga viti 2003 deri në vitin 2017 – me një rritje mesatare vjetore prej 1.74 milionë lekë.
Pasurie bruto e familjes Kraja në vitin 2017 është ndarë në 25.9 milionë lekë pasuri të patundshme, 204 mijë lekë likujditete bankare, automjet me vlerë 590 mijë lekë dhe kursime në cash prej 769 mijë lekësh.
Të ardhurat familjare për periudhën e deklaruar 2003-2017 janë 39.6 milionë lekë. Rreth 64.4 % e të ardhurave kanë si burim pagën nga funksioni në prokurori dhe 23 për qind pagën e bashkëshortes, 4 % vijnë nga mësimdhënia dhe vetëm 8 % janë të ardhura të tjera.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Kontrolli aritmetik/logjik për 14 vitet e deklarimit rezultoi pa diferenca negative mes të ardhurave dhe shpenzimeve.
Analiza evidentoi megjithatë si “flamuj të kuq” faktin që bashkëshortja e prokurorit Kraja ka qenë subjekt deklarues deri në Korrik 2016, ndërkohë që janë deklaruar pagat e saj vetëm për periudhën 2004, 2005, 2014, 2015 dhe 2016.
Gjitashtu në deklaratën e vitit 2004, subjekti Arben Kraja ka deklaruar një kontratë sipërmarrje për apartament banimi, por mungon çmimi i plotë i apartamentit- si vlerë është shënuar kësti vjetor që i është paguar shoqërisë së ndërtimit.
Me datë 02.10.2017, subjekti dhe bashkëshortja e tij, kanë lidhur kontratë sipërmarrje për një apartament banimi në një kompleks pranë Gjirit të Lalëzit, me vlerë 130,000 euro dhe kanë paguar vetëm këstin e parë prej 15,000 euro, ndërsa 115,000 euro janë detyrim ndaj shoqërisë së ndërtimit.