Qindra banorë të kryeqytetit i janë përgjigjur thirrjes së Bashkisë së Tiranës për të zhvendosur depozitat e ujit nga tarracat në ambiente të përbashkëta në kat të parë. Sikurse shihni edhe nga këto foto, në shumë prej lagjeve të kryeqytetit banorët janë sensibilizuar duke vendosur që të heqin vullnetarisht nga tarraca e pallatit të tyre depozitat e rënda që janë një rrezik permanent për jetën e tyre. Madje shumë prej tyre janë kujdesur për të ruajtur edhe anën estetike të pallatit duke i lyer depozitat dhe kthyer ato në vepra arti.
Bashkia ka propozuar që në vend të depozitave personale, banorët të vendosin depozita të përbashkëta të ujit, që përveç garantimit të sigurisë për jetën dhe shëndetin e vetë banorëve, do të sjellë edhe një mirëadministrim të depozitave dhe furnizimit me ujë. Heqja e depozitave ne pallatet e padëmtuara nga tërmeti duhet të bëhet nga vetë banorët, në bashkëpunim me administratorin e pallatit.
Tashmë, jo çdo banor duhet të kujdeset për mirëmbajtjen e depozitës individuale, por sipas rregullave dhe ligjit të bashkëpronësisë, e gjithë tërësia e bashkëpronarëve, nëpërmjet administratorit të përzgjedhur, kujdeset për depozitën e përbashkët të ujit, ashtu siç ndodh në pjesën më të madhe të pallateve të reja të banimit. Bashkia e Tiranës do të mbështesë asamblenë e bashkëpronarëve dhe administratorët për lehtësimin e këtij procesi për vendosjen e depozitave të përbashkëta të ujit, me qëllim dhe garantimin e jetës dhe shëndetit të njerëzve. /e.s/