Arben Kraja ka nisur sot zyrtarisht detyrën si drejtues i Prokurorisë së Posaçme, i një prej institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë së re, projektuar në ndryshimet Kushtetuese të korrikut të vitit 2016, për të luftuar korrupsionin dhe krimin në Shqipëri, sidomos në nivelet të larta. Dy vendimet e para të Arben Krajës pritet të jenë caktimi i dosjeve që duhet të ndjekin prokurorët e posaçëm bazuar në specializimin e tyre, si dhe miratimi i rregullores së për funksionimin e Prokurorisë së Posaçme. Për ndarjen e çështjeve, kryeprokurori i SPAK-ut pritet të thërrasë një mbledhje të prokurorëve të posaçëm.
Disa ditë më parë, Shqiptarja.com publikoi një udhëzim të kreut të Prokurorisë së Përgjithshme Olsian Çela, i cili parashikonte detyrimin e të gjithë prokurorëve të Krimeve të Rënda dhe të juridiksionit të përgjithshëm që të inventarizonin dosjet dhe t’i kalonin në duart e SPAK-ut, sipas kompetencës. Bëhet fjalë për të gjitha dosjet e korrupsionit, krimit të organizuar dhe të çështjeve ku janë të përshirë pushtetarë dhe ish-pushtetarë që nga vitet ’90. Këto dosje do të ndiqen tani nga prokurorët e posaçme. Por, Arben Kraja e ka të ndaluar me ligjin e SPAK-ut t’i japë udhëzime një prokurori në lidhje me thelbin e hetimeve apo çështjes penale të ndjekur prej tij.
Ndërkaq, kreu i SPAK-ut do të koordinojë edhe punën e njësive pranë Prokurorisë së Posaçme me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit brenda dhe jashtë vendit, me shërbimet e inteligjencës dhe autoritetet e tjera kompetente. Bëhet fjalë për pesë sektorë të rëndësishëm që do të ngrihen pranë SPAK-ut, konkretisht: Sektori i Dokumentacionit, Sektori i Ekspertizës, Sektori i Hetimit Financiar, Sektori i Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Ndërlidhjes për Hetimet e Përbashkëta si dhe Sektori për Asistencën për Individët me Status të Posaçëm. Po ashtu, në vijim do të zgjidhet edhe kancelari dhe koordinatori për marrëdhënien me mediat.
Të gjitha këto njësi dhe funksione kanë lidhje me drejtuesin e SPAK-ut. Drejtori i sektorit më të rëndësishëm, ai i Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Ndërlidhjes për Hetimet e Përbashkëta, caktohet nga kreu i SPAK-ut. Koordinatori i Marrëdhënieve me Mediat është gjithashtu vetmi person i autorizuar nga drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme për të komunikuar me mediat rreth veprimtarisë së SPAK-ut. Kancelari përgjigjet gjithashtu para drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Të gjitha këto organe do të plotësohen me personel administrativ. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Arben Kraja ka në kompetencë të kryejë mbikëqyrjen administrative të marrjes në punë, trajnimin, disiplinën dhe vlerësimin e punonjësve dhe ekspertëve të Prokurorisë së Posaçme, si dhe i caktojnë ata të punojnë me prokurorët
Në vijim, kreu i SPAK-ut, së bashku me dy prokurorë të posaçëm, do t’i propozojnë Këshillit të Lartë të Prokurorisë një kandidat për drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Kreu i SPAK jep gjithashtu pëlqimin për personin që do zgjidhet zëvendësdrejtor i Byrosë si dhe për caktimin e hetuesve të Byrosë. Më tej, kreu i SPAK-ut dhe kreu i Byrosë nxjerrin një urdhër për organizimin e brendshëm të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Kreu i SPAK-u ka në kompetencë të miratojë rregulloret e nxjerra nga Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Drejtuesi i SPAK-ut ka edhe kompetenca të tjera. Ai i paraqet Ministrisë së Financave projektbuxhetin për Prokurorinë e Posaçme dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. Gjithashtu, brenda datës 1 mars, i dorëzon Këshillit të Lartë të Prokurorisë një raport vjetor me shkrim mbi veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme. Ndërsa gjatë mbledhjes së prokurorëve të posaçëm, krye u SPAK-ut jep mendime mbi rregulloren e brendshme administrative, lidhur me përshkrimet e punës të të gjitha kategorive të nëpunësve civilë, për ngritjen e komisioneve të brendshme sipas nevojës, mbi projektbuxhetin si dhe diskuton çdo çështje tjetër me rëndësi për veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme. /shqiptarja.com/