Drejtori i Verifikimit të Pastërtisë së Figurës dhe Monitorimit të Brendshëm, pranë SHÇBA, Florian Sulejmani, ka dalë ditën e sotme para Vettingut. Për të, trupa gjykuese e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit tha se ka kryer deklarim të saktë dhe nuk e ka fshehur pasurinë.
Si pasuri, Sulejmani kishte deklaruar një apartament në Golem të Kavajës, blerë në vlerën e 31 mijë e 955 euro, me burim të ardhurash kursime dhe nga shitja e një sipërfaqe toke në Kamëz; një automjet blerë në vlerën e 950 mijë lekëve, si dhe një apartament banimi në rrugën “Don Bosko”, Tiranë e krijuar përpara fillimit të marëdhënies së punës.
Ky apartament, tha Komisioni nuk është hipotekuar ende dhe rezulton të jetë në emër të babait të tij të ndjerë.
Po ashtu, Komisioni tha se nuk ka të dhëna që Sulejmani të ketë kontakte me persona të inkriminuar, ndërsa vetë Drejtori i Verifikimit të Pastërtisë së Figurës dhe Monitorimit të Brendshëm, pranë SHÇBA, kërkoi konfirmimin në detyrë. /e.s/