Policia e Tiranës ka zbardhur detaje mbi plagosjen e ndodhur mbrëmjen e sotme, në zonën e Saukut. Policia sqaron se 38-vjeçari Santi Xhaferi është plagosur me mjete të forta, dhe jo me armë zjarri siç u raportua në fillim.
Sipas policisë, 38-vjeçari është konfliktuar me një person tjetër dhe për pasojë ka marrë plagë në kokë dhe në këmbë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:20, në afërsi të rrethrrotullimit të rrugës së Elbasanit në drejtim të Saukut, ku fillimisht ai është transportuar me një automjet drejt Sanatoriumit në Sauk dhe më pas është kërkuar ndihma e ambulancës e cila e ka transportuar në QSUT për ndihmë mjekësore.
Nga këqyrja e mëtejshme e bërë nga mjekët rezultoi se dëmtimet janë shkaktuar me mjete të forta dhe jo nga armë zjarri, ndërsa fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga veprimet e para dyshohet se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti me një shtetas tjetër. Personat që e kanë transportuar drejt Sanatoriumit me mjet janë shoqëruar në ambientet e Komisariat të Policisë Nr 1 për sqarimin e rrethanave te ngjarjes.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.
/a.r