Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca ka përshëndetur ngritjen e SPAK, pas betimit të 8 prokurorëve të kësaj strukture para Presidentit të Republikës Ilir Meta.
Përmes një reagimi ambasadori theksoi se ky është një tjetër moment i rëndësishëm për zbatimin e reformës në drejtësi.
“Mirëpresim betimin e 8 prokurorëve të SPAK para presidentit. Tani ata janë gati të nisin punën. Një tjetër moment i rëndësishëm për zbatimin e Reformës në Drejtësi. Lufta kundër Korrupsionit dhe organizimit të krimit është përparësia kryesore për Shqipërisë dhe rrugën drejt anëtarësimit të BE-së”, shkruan ambasadori Soreca.
Prokurorët e parë të SPAK, me një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi, janë Altin Dumani, Arben Kraja, Behar Dibra, Edvin Kondilli, Elida Celami(Kaçkini), Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai dhe Klodian Braho. Struktura e Posaçme Antikorrupsion është struktura e posaçme që do të hetojë dhe çojë në gjykatë dosjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ndërkohë, ditën e sotme, për 3 anëtarët e SPAK, Altin Dumani, Arben Kraja dhe Edvin Kondili, që dhanë dje intervistat e tyre, KLP do të vendosë se kush do të jetë kreu i këtij institucioni. /e.s/