Avokati Spartak Ngjela foli ditën e djeshme për luftën kundër korrupsionit në Shqipëri dhe mbështetjen e vazhdueshme që po i jep faktori ndërkombëtar. Gjatë një interviste televizive, Ngjela u shpreh se ambasada amerikane ka vendosur disa emra në listën e zezë dhe kjo gjë sipas tij tregon se këta persona kanë frikë nga reforma në drejtësi. Avokati deklaroi se në Shqipëri ekziston korrupsion i tmerrshëm, duke shtuar se reforma do të nisë pikërisht me politikanët.
“Fakti që Amerika ka vendosur disa emra në listë, tregon se këta persona padyshim kanë frikë. Vijmë tek goditja. Doli para disa ditësh ambasada amerikane dhe tha do të vazhdojë goditja. Madje, ambasada përmendi edhe peshqit e mëdhenj. Ambasada nuk jep dot emra, përpos sistemit në drejtësi, sepse nuk e bën dot për momentin. Korrupsioni në Shqipëri është i tmerrshëm. Këtu ka qenë korrupsioni i madh. Me politikanët nis reforma në drejtësi”, u shpreh Ngjela.
Më tej avokati deklaroi se kryeministri Edi Rama ka nisur të ndjejë frikën e reformës, e prandaj ai bën ligjin antishpifje, me qëllim që të heqë vëmendjen nga tmerri që e ka pushtuar.
“Mendoj se goditja penale për rastin e tërmetit do të ecë. Mesa pashë unë gjykata la në burg të gjithë ata që kërkoi Prokuroria. Nuk mund të shkosh dot te rangjet e larta, sepse i kapshmi direkt është ai që është më i ulëti në shkallë. Kjo sepse gjykata merr përgjegjësinë direkt. Rama tenton që të shmangë vëmendjen. Unë s’kam parë ndonjëherë kryeministër që të ecë nëpër rrugë, viziton fëmijët, sikur është kryetar pionierësh. Ikën këtej-andej, i bie kërkon të fshehë diçka. Ramën e tremb e vërteta prandaj ka vendosur ligjin antishpifje. Këta nuk kanë perspektivë, janë të ndaluar të gjithë në karrierën e vet. SPAK ka bërë që Prokuroria të ecë valë-valë. Rama po tenton ta bëjë si Enver Hoxha, për të ndaluar zërin e mediave. Edi Rama ka humbur ekuilibrin dhe ka frikë. Frika është se në këto momente Rama pësoi dëmin e madh. Edi Rama është vetë i implikuar me mafien dhe prandaj ka frikë”, deklaroi Ngjela.