Tërmeti i 26 nëntorit la pas shumë dëme nëpër ndërtesa të ndryshe. I tillë është edhe rasti i një pallati 11-katësh në zonën e Plazhit në Durrës. Ai është ndërtuar në vitin 2016 dhe ka pësuar dëmtime të konsiderueshme nga lëkundjet sizmike.
Kati i dytë dhe i tretë i njërës anë të këtij pallati janë dëmtuar plotësisht. Familja Bushi, banesa e së cilës është shkatërruar thuajse tërësisht, denoncon në emisionin “Stop” në se administratori i pallati ka filluar të bëjë riparimet e dëmeve pa u bërë më akt-ekspertimi nga strukturat përkatëse. Anëtarët e kësaj familje tregojnë se ekspertiza e parë e nxorri pallatin të pabanueshëm. Në atë moment iu vu shiriti, por më vonë u hoq sërish.
“Kam dy vjet që jam futur te kjo shtëpi. Kam dy dhoma dhe kuzhinë, këtu nuk ka ngelur asnjë gjë. Kuzhina më ka rënë në tokë me gjithë kondicioner. Kemi shpëtuar poshtë tavolinës, Zoti është i madh. I lutem shtetit të na ndihmojë se ndërtuesit e pallatit janë zhdukur”, thotë kryefamiljar i familjes Bushi.
Banorët thonë se skandali më i madh është se pas tërmetit shteti nuk shkoi, por administratori i pallatit nisi riparimet privatisht pa marrë më parë leje. Ai vendosi skela dhe nisi ndërtimin e mureve të rrëzuara, por vetë banorët nuk e lejuan. Nuk dihet nëse ky pallat ka dëmtime në strukturë mbajtëse apo në mure ndarëse.
“Skandali më i madh është që kanë vënë skelat aty edhe kanë filluar me riparime. Administratori i pallatit ka sjellë disa persona ku kanë vënë skelat për të rindërtuar, për të mbuluar, duke fshehur provat. A është e lejueshme të fillosh me mbulimin e provave, kur ne nuk kemi një akt që ky pallat është i banueshëm apo jo.
Kanë ardhur vetëm një herë ekspertët, ku kanë vënë dhe shiritin dhe e cilësuan si të pabanueshëm.Pastaj shiriti u hoq edhe siç e shihni është bërë një mbulesë e vogël. U hoq shiriti, domethënë që kur hiqet shiriti pallati është i banueshëm. Nuk e di nëse aty mund të futet njeri të jetojë sepse është e pamundur”, shprehet njëra prej banoreve të këtij pallati në Durrës.
Artan Shkreli, zv/ministri i Infastrukturës, shpjegon se nuk duhen lejuar rastet kur pronarë apo administratorë, riparojnë pallatet pa u bërë më parë ekspertiza.
Artan Shkreli: Është krejtësisht e patolerueshme që qoftë administratorët e pallateve, qoftë edhe poseduesit privatë të apartamenteve apo lokaleve të ndryshme, të fillojnë të bëjnë riparime pa marrë më përpara një leje. Procedura e marrjes së lejeve tani me periudhën pas tërmetit është lehtësuar shumë, ka dalë dhe një VKM e posaçme për këtë që do të thotë merret brenda 24 orëve kur bëhet fjalë për riparime të lehta.
Dhe fjala riparim i lehtë del nga akt-konstatime të cilat grupet e vlerësimit kanë dalë nëpër lagje, nëpër pallate, sidomos aty ku janë thërritur dhe kanë bërë. Në momentin e dëmtimeve të rënda ose të mesme, në këtë moment kërkohej edhe një projekt paraprak. Pra, jo thjesht një riparim heqje suvaje, stukim, mbushje, plotësim etj. Por kërkohet një projekt paraprak konstruktiv.
Ky projekt duhet miratuar nga Instituti i Ndërtimit ose nga strukturat e posaçme që janë në Bashki. Vetëm me këtë miratim mund të fillojnë punimet e rehabilitimit. Sepse pa dashur të paragjykoj këdo, dikush ndoshta mund ta bëjë dhe për të fshehur dëme, por po flas për njerëzit të cilët nuk duan të fshehin dëme po duan t’i kthehen normalitetit të jetës së tyre nëpër lokalet që kanë, mbulimi i strukturave, i çarjeve apo i gjërave që për një sy jo të specializuar mund të mos jetë shumë i rëndësishëm, çon në atë që objektet e paekspertuara mos kenë mundësi ekspertët të shikojnë dëmtimet janë strukturore apo nuk janë strukturore.
Kjo, jo vetëm që nuk zgjidh asgjë duke bërë ato riparime, por përkundrazi vë në rrezik jetëgjatësinë e objektit por dhe jetën e njerëzve të tjerë. Çdo ndërtues që vë dorë, banorët e pallatit që shohin që ai nuk është i autorizuar për të vënë dorë, duhet ta denoncojnë sepse ai rrezikon zhdukjen e gjurmëve konstruktive, pra për të parë se çfarë dëmesh konstruktive ka objekti duke cënuar sigurinë e të gjithëve. Ndërhyrjet pa leje janë njësoj të dënueshme sikurse edhe në periudha jo të tërmeteve.
Edhe drejtori i Institutit të Ndërtimit, thotë të njëjtën gjë, duke pohuar se nuk mund të bëhet asnjë riparim pa u marrë më parë leja tek organet shtetërore. Kjo leje jepet vetëm pasi është bërë më parë akt-ekspertimi nga grupet e specializuara të inxhinierëve.
Drejtori i Institutit të Ndërtimit: Këta lloj administratorësh nuk do të bëjnë asnjë veprim pa marrë leje. Qeveria shqiptare po punon, ka dalë VKM-ja se si do jepet leja, dhe çfarë leje, mbi bazën e akt-konstatimit. Nuk do të bëhen riparime pa u parë nga grupi i dytë, i cili do të bëjë akt-inspektimin në terren. Sepse ne nuk mund ta lëmë më këtë gjendje që të na plasariten prapë muret, por do të bëhen brenda kushteve teknike. Për të gjitha rastet që ka shkelje, të bëjnë denoncimet përkatëse.