Shqipëria është një prej vendeve më të barabarta në botë, sa i përket barazisë gjinore. Forumi Ekonomik Botëror (WEF) ka publikuar raportin e hendekut gjinor 2020, një raport vjetor, i cili është më i rëndësishmi në nivel global në drejtim të barazisë gjinore.
Raporti i këtij viti, e rendit vendin tonë të 20-tin mes 153 shteteve, çka përkthehet në një përmirësim me 14 pozicione krahasuar me renditjen e vitit të kaluar, ku renditeshim të 34-tit. Vitin paraardhës renditej e 38-ta dhe në 2006-ën e 61-ta.
Në indeksin e përgjithshëm, pikëzimi i Shqipërisë sinjalizon një nivel barazie gjinore në 76%, ndërkohë që vendi i parë në listë, Islanda e ka në 85%, dhe vendi i fundit, Yemeni, në 49%.
Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria është padiskutim e para. Sipas kësaj renditje, të jesh femër në Shqipëri ke një nivel barazie me gjininë tjetër më shumë edhe se në vende si Belgjika, Australia, Portugalia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo edhe Holanda, sa për të përmendur disa.
Kapërcim galopant kanë bërë edhe dy nën-indikatorët e tjerë mbi të cilët përpilohet indeksi i përgjithshëm, ai i edukimit dhe ai i pjesëmarrjes politike.
Në atë të shëndetit dhe mbijetesës ndërkohë Shqipëria jo vetëm që lë shumë për të dëshiruar por ka bërë edhe ndjeshëm hapa prapa, nga vendi i 134-tët në botë, në të 145-tin sot, pra një prej 8 vendeve me rezultatin më të dobët në botë.
Renditja e dobët në këtë drejtim vjen për shkak të normës së pabarabartë në lindje, mes femrave dhe meshkujve.
Fakti që familjet shqiptare lindin më shumë meshkuj se femra, e vendos vendin tonë të 147-tin në botë, ndër 153 shtete.
Çështja e abortit selektiv dhe “fiksimit” të shqiptarëve me meshkujt është një temë që është ngritur shpeshherë nga organizata të ndryshme ndërkombëtare.