Prokurori i Durrësit Arian Ndoja, i cili ishte objektiv i një atentati në fillim të muajit nëntor tek rrethrrotullimi i Shkozeti, është pjesë e listës me 120 prokurorë dhe gjyqtarë, të përzgjedhur përmes shortit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për t’ju nënshtruar procesit të Vetingut. Sipas vendimit të Komisionit të Vetingut, Ndoja do të verifikohet për ligjshmërinë e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Për rrjedhojë, prokurori Ndoja duhet të justifikojë me të ardhura të ligjshme 23 apartamente të deklaruara në vitin 2008 dhe në vitin 2016. Gjithashtu, prokurori duhet të justifikojë edhe blerjen e dy makinave me vlerë 34 mijë euro dhe 20 mijë euro.
Po ashtu, prokurori duhet të justifikojë para Komisionit të Vetingut edhe dy lokale me vlerë 114 600 euro dhe 159 520 euro, ku prokurori është pronar me 100 %, në kushtet kur ku ka nisur karrierën në drejtësi rezulton pa asnjë pasuri të paluajtshme. Objekt verifikimi do të jetë gjithashtu edhe një lëvizje e madhe në pasurisë e bashkëshortes. Bashkëshortja Elderina Frrok Ndoja, e cila ka përfaqësuar si avokate një shtetas për të marrë 45 mijë metra katror tokë shtetërore në Gjirin e Lalzit me vendim të kryegjyqtares së dorëhequr të Durrësit Joana Qeleshi, i kanë dhuruar në 2013, 6 prona në Durrës me sipërfaqe 196 211 metra katrorë.
Pa dyshim edhe lidhje me 40-vjeçarin Aleksandër Laho, i njohur ndryshe edhe si Landi Muharremi, ‘i forti i Sukthit’, por edhe si ‘Rrumi’, do të jetë në fokusin e Vetingut sa i takon pastërtisë së figurës së prokurorit. Aleksandër Laho ishte në makinë me prokurorin Ndoja në momentin e atentatit. ‘Rrumi’, është dyshuar se urdhëroi rrahjen e amerikano- libanezit Fadi Mitri, për çështjen e konfliktit të 45 mijë metra katror tokë shtetërore në Gjirin e Lalzit, por nuk është marrë nën hetim nga prokuroria. Procesi i Vetingut për prokurorin Ndoja do të zgjasë disa muaj, ndoshta deri në fund të vitit 2020./shqiptarja.com
g.kosovari