Nga ARTUR AJAZI
Pas 26 Nëntorit, nuk dihet përse Lulzim Basha ka marrë përsipër të flasë dhe “udhëzojë” gjithë dynjanë (madje edhe Edi Ramën) sikur të ishte kryeministër, një ëndërr e kahershme e tij. Kjo ngjet edhe kur ai shkon (sa për gallatë) në Bubq, Thumanë, Durrës, apo dhe Shijak. Kjo ngjet edhe kur takon biznesmenë të djathtë apo dhe kur futet brënda shtëpive të shkatërruara, kur u premton atyre hallexhinjve se “Partia Demokratike do të kishte nisur punën nga rindërtimi në rast se do të kishte qenë në qeverisje”, kjo ngjet edhe kur takon gazetarët apo dhe aleatët e tij. Lulzim Basha ka kohë që troket në derën e gabuar, ka vite që troket në derën e kyçur përfundimisht për atë dhe partinë e tij, në derën e pushtetit.
Duke shpresuar dhe duke u lutur ditë-natë për të tjerë “26 Nëntorë” të tjerë, njeriu i ëndërrave me pushtet, ka marrë së fundi flamurin (pa shkop) të mbrojtësit të “fjalës së lirë”, dhe duke folur dhe duke u sjellë gjithmonë si “kryeministër” u premton gazetarëve të tij se “do ta zhbëjë ligjin sapo të vijë në pushtet PD”. Eshtë sa qesharake, aq edhe tragjikomike, tek shikon një kryetar partie, një ish-kryetar opozite, një njeri që kërkon medoemos të bëhet “lider” të flasë dhe të sillet sikur është kandidat për kryetar komune apo bashkie.
Eshtë qesharake tek dëgjon një kryetar ish-opozite, tek shmanget nga përgjegjësia e tij direkte edhe ndaj fatkeqësisë më të madhe që mbuloi shqiptarët pas 26 Nëntorit, dhe të merret me lojëra fjalësh, me premtime imagjinare, dhe të mundohet të mbajë me shpresë ndjekësit e tij me refrenin e njohur “Rama ikën, vij unë në pushtet”.
Mos trokit kot në atë “derë” Lulzim sepse është e mbyllur njëherë e mirë për ju dhe partitë e SHQUP-it. Mos trokit kot, sepse shqiptarët nuk harrojnë dhe kujtojnë gjithçka, kanë hequr dhe kanë pësuar nga qeverisja juaj e parë, dhe e dytë. Mos trokit kot Lulzim, sepse dyert e PD janë mbyllur si brënda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë, edhe sikur ti dhe PD juaj, të nisni “protestat popullore” apo dhe sikur Doktori të udhëheqë si dikur “revolucionin demokratiko-borgjez”.
Rruga drejt pushtetit të humbur me votën e shumicës së shqiptarëve, do të jetë e gjatë për ju, ashtu siç ka qenë e gjatë lista e mëkateve që rëndon mbi ju, kur ju e kishit pushtetin. Asgjë nuk do të kthehet në “kauzën” e PD tuaj, as rindërtimi i vendit nga pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit, dhe as diskutimi dhe miratimi nga Parlamenti i projektligjit për shpifjen në medie.
Mos mbaj shpresa, dhe mos mbaj me premtime askënd, se kur ju, të vini një ditë në pushtet, do të arrini të zhbëni ligjet e miratuara, mos mbaj me shpresa të humbura as ndjekësit e gjorë që gdhihen e ngrysen me lugë boshe. Nuk mund të duash pushtetin kur nuk ke konsolidencë në partinë tënde, nuk mund të kërkosh pushtetin kur nuk ke me vehte shumicën e shqiptarëve, nuk mund të bëhesh “kryeministër” kur nuk të besojnë dhe votojnë as anëtarësia dhe militantët e partisë tënde.
Ndaj mos trokot në atë derë Lulzim, e ke të kotë. Ndoshta kur të zhbësh këtë Parti Demokratike, edhe mundet, ndoshta kur të distancohesh nga “doktrina” dhe Doktori, edhe mundet, por deri sa të vijë ajo ditë Lulzim …… shpreso të ketë dalë në pension pleqërie edhe Edi Rama.