Një investigim është publikuar nga The Organized Crime and Corruption Reporting Project (OCCRP) dhe Plan V, degë e gazetarisë investigative ekuadoriane, për fuqizimin e krimit shqiptar në Ekuador. Arbër Çekaj, biznesmeni që ndodhet në proces gjyqësor për sekuestrimin e 613 kg kokainë në Durrës, është personazhi kryesor i këtij investigimi.
Përveç detajeve sa i përket fuqizimit të krimit shqiptar tregun 10 miliard dollarësh të kokainës në Amerikën Jugore, investigimi tregon edhe se si Arbër Çekaj ka mundur t’i shpëtojë drejtësisë në Shqipëri, por jo vetëm kaq, edhe të përfitojë financiarisht.
Sipas OCCRP, Çekaj ka rënë në radarin e agjencive ligjzbatuese që në vitin 2015, kur ai u akuzua në Ekuador për fshehjen e 37 kilogramë kokainë, gjithashtu në një dërgesë bananeje e destinuar për Shqipërinë.
Por një seri gabimesh e kanë lejuar Arbër Çekajn që t’i shpëtojë arrestimit prej vitesh. Larg të qenit një sukses, çështja ekspozon dështime të mëdha të sistemeve të drejtësisë si në Shqipëri ashtu edhe në Ekuador, thonë disa oficerë të zbatimit të ligjit.
Në investigim theksohet se, vetëm disa javë pasi ishte lëshuar një urdhër-arresti për arrestimin e tij në Ekuador në vitin 2015, kompania e tij në Shqipëri mori mbi 100,000 euro fonde bujqësore të Bashkimit Evropian për një depo frigoriferike që më vonë do të përdorej për të fshehur drogën.
Pavarësisht se ishte përcaktuar si një i arratisur nga Ekuador dhe nën hetim në Shqipëri, Çekaj me sa duket kaloi vite duke vazhduar të udhëtonte mes dy vendeve, dhe organizoi 137 eksporte të bananeve përgjatë të njëjtës rrugë duke përdorur të njëjtën firmë, e cila ishte regjistruar në emrin e tij . Asnjë provë nuk ka dalë të tregojë se ndonjë prej këtyre dërgesave përmbante drogë, por ato tregojnë se, pavarësisht se ishte një trafikant i dyshuar i trafikut të drogës, Çekaj ishte në gjendje të vazhdonte biznesin si zakonisht.
Ishte viti 2018 kur në magazinat e kompanisë Arbi Garden u zbuluan 613 kg kokainë, tre vite pasi Arbër Çekaj ishte shpallur në kërkim.
Aktualisht Çekaj ndodhet i arrestuar në Shqipëri, ndërkohë që çështja e tij do të gjykohet nga Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO). /e.s/