Memorie.al publikon historinë e panjohur të inxhinierit të parë shqiptar që ishte diplomuar për Gjeologji-Miniera në Toulousë të Francës, i cili pasi refuzoi disa oferta nga dy kompani të fuqishme britanike dhe franceze për të punuar në vëndet e tyre, u kthye në Shqipëri në vitin 1932 ku Mbreti Zog e emëroi në detyrën e Drejtorit të Gjeologji-Minierave, funksion të cilin ai e ushtroi pa ndërprerje deri në vitin 1947 kur u arrestua nga Sigurimi i Shtetit. Miqësia e tij me diplomatët e huaj në periudhën e Monarkisë, që e ftonin në shtëpitë e tyre edhe për të luajtur poker, dhe më pas me kolegun e tij, polakun, Zuber, u bënë shkak që ai të akuzohej si “intelektual borgjez” dhe për “sabotim”. Dëshmia e nipit të tij, Gjergji Xega, i cili tregon se në vitin 1947 kur xhaxhai i tij, Andrea, ishte Drejtor në Ministrinë që e drejtonte Nako Spiro, e arrestuan sepse ftoi për darkë në shtëpinë e tij misionin amerikan të UNRA-s.
Nga Dashnor Kaloçi
Aty nga fillimi i vitit 1947 kur xhaxhai im Andrea Xega, ishte në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Minierave në Ministrinë e Ekonomisë që drejtohej nga Nako Spiro, ai ftoi në shtëpinë e tij misionin amerikan të UNRA-s dhe u shtroi atyre darkën e lamtumirës meqë ato ditë ata do të largoheshin nga Shqipëria. Në momentin që xhaxhai po i përcillte miqtë e tij jashtë oborrit, një nga punonjësit e Sigurimit u fut brënda në shtëpi dhe i kërkoi nënës së Andreas që t’i tregonte të gjithë emrat e atyre personave që kishin marrë pjesë në atë darkë. Megjithse ai nuk mori asnjë përgjigjie nga gjyshja Aleksandra, u largua shumë shpejt në mënyrë që të mos e gjente aty Andrea. Të nesërmen e kësaj mbrëmje Ministri i anulloi Andreas një shërbim që ai e kishte planifikuar për në Kuçovë dhe teksa ai ishte duke u kthyer në shtëpinë e tij që e kishte me qera, tek Mëhalla e Kukave në Rrugën e Dibrës, disa punonjës të Sigurimit i dolën përpara dhe e arrestuan”. Njeriu që flet dhe dëshmon për memorie.al. është Gjergji Xega ish baletmaestër në Teatrin e Operas dhe Baletit, i cili rrëfen gjithë historinë e xhaxhait të tij Andrea Xegës, shqiptarit të parë që u diplomua për Gjeologji-Miniera në Toulouse të Francës në vitin 1932 dhe pasi kishte punuar për 15 vjet si Drejtor i Gjeologjisë në Ministri, në vitin 1947 u arrestua nga Sigurimi i Shtetit duke u akuzuar si agjent i anglo-amerikanëve. Po kush ishte Andrea Xega, nga cila familje rridhte ai dhe si e përfitoi bursën e studimit për në Francë? Cilët ishin miqtë e ngushtë të tij, përse u arrestua nga regjimi komunist dhe për çfarë u akuzua? Si e vuajti Xega dënimin dhe përse kreyeministri Mehmet Shehu e liroi para kohe? Lidhur me këto të panjohura të Andrea Xegës e plot fakteve të tjera nga jeta e tij, bëhet fjalë në rrëfimin e nipit të tij, Gjergji Xega, i cili si artist e ka vuajtur gjatë hijen e xhaxhait të tij që ishte shpallur armik i popullit.
Student në Francë
Andrea u lind në vitin 1907 në qytetin e Korçës dhe ishte fëmija i dytë i Jorgji Xegës i cili punonte si këpucar në një nga rrugicat e pazarit të famshëm karakteristik të Korçës dhe shtëpia e tyre ndodhej në Lagjen e Bregut të Lumit. Familja e Jorgji Xegës, origjina e së cilës ështe nga fshati Karpanjgjoz i krahinës së Oparit, asokohe jetonte në kushte mjaft të vështira ekonomike dhe babai i Andreas që punonte si këpucar, kishte marrë si çirak djalin e madh të tij, Nikon, kurse djalin tjetër Andrean e dërgoi që të mësonte në Liceun Francez të qytetit të Korçës. Lidhur me këtë Gjergji Xega dëshmon: “Mbasi xhaxhai Andrea e mbaroi Liceun francez me rezultate të shkëlqyera, ai mundi që të fitonte një bursë nga qeveria e asaj kohe për të ndjekur studimet për Gjeologji-Miniera në Toulousë të Francës, ku ai mundi të regjistrohet pasi fitoi konkursin e pranimit ndërmjet qindra kandidatëve duke marrë pikët e plota. Gjatë katër viteve që Andrea ndoqi studimet pranë atij fakulteti, ai krahas mësimeve vazhdoi edhe sportin duke u aktivizuar si portier me ekipin e futbollit të atij qyteti, pasi ai e kishte pasion të madh futbollin dhe kishte luajtur që kur ishte nxënës në Liceun francez. Gjatë asaj periudhe që Andrea ndiqte studimet në Gjeologji-Miniera, ai i zhvilloi praktikat mësimore në disa nga minierat më të famëshme të Botës si Alsac-Lorene, Ruhr, ato të diamantit në Afrikën e Jugut etj. Pas mbarimit të studimeve kur Andrea mori diplomën me vlersimin shkëlqyeshëm, krahas ofertave që i bënë disa pedagogë të tij që ai të qëndronte për të punuar në Francë, katër studentë britanikë (dy djem e dy vajza) që ai i kishte shokë të kursit, iu lutën që të shkonte me ta në Angli ku e priste një jetë luksoze dhe ai do të punonte në kompanitë më të famëshme të Gjeologji-Minierave që kishte Britania e Madhe. Andrea nuk ua plotësoi dot dëshirën as pedagogëve dhe as miqëve të tij anglezë në shoqërinë e të cilëve kishte kaluar katër vite që nuk do t’i harronte dot. Po kështu gjatë viteve të fakultetit Andrea zuri miqësi të ngushtë me një vajzë që e kishte shoqe kursi e cila vinte nga një familje e dëgjuar e aristokracisë franceze dhe e donte shumë atë. Ajo iu lut Andreas që të martoheshin bashkë, por ai nuk pranoi sepse jo vetëm që kishte lënë në Korçë nënën Aleksandrën me tre motrat e dy vëllezërit, por edhe sepse ai e donte profesionin e tij dhe ishte një nacionalist që para Shqipërisë nuk vinte asgjë tjetër, kujton Gjergji Xega për xhaxhanë e tij Andrean.
Drejtor i Gjeologjisë në Ministri në vitet 1932-1947
Pas mbarimit të studimeve Andrea Xega u kthye në Shqipëri dhe qeveria e Monarkisë së Zogut e emëroi atë në postin e Drejtorit të Drejtorisë në Ministrinë e Ekonomisë të asaj kohe. Lidhur me këtë Gjergji kujton: “Pasi mbaroi studimet në Francë, duke qenë i pari shqiptar që diplomohej në atë degë, Andrea erdhi në Tiranë dhe ku u emërua si Drejtor i Gjeologjisë në Ministri. Nisur nga kjo, ai u vendos në një shtëpi me qera në mëhallën e Kukëve tek Rruga e Dibrës, ku qëndroi deri nga fundi i viteve ’30-të, nga ku më pas u vendos në Rrugën “Fortuzi” tek “Shtëpia e Kuqe”. Andrea e ndjente thellë përgjegjësinë që kishte marrë si Drejtor dhe gjatë asaj periudhe ai i’u përkushtua me gjithë fuqitë e pasionit atij profesioni, duke shkuar në cdo cep të Shqipërisë nga Jugu në Veri, kudo ku kishte miniera dhe ku ai mendonte që mund të kishte minerale. Andrea rrinte me orë të tëra në zyrë duke punuar edhe pas orarit zyrtar duke e kthyer edhe shtëpinë e tij në studio ku punonte me projektet dhe ku e vizitonin shumë kolegë të tij si Mark Boriçi (vëllai i Loro Boriçit), me familjen e të cilit u lidhën me një miqësi të ngushtë që do të vazhdonte gjatë. Po kështu gjatë atyre viteve Andrea kishte miqësi të ngushtë edhe me Spiro Çipin, Eqerem Çabejn, Masar Dervishin (diplomuar në Austri) Petro Markon, familjet Qirko e Lismaku me të cilët e ruajti miqësinë deri në fund të jetës së tij. Ndonëse gjatë viteve të Monarkisë së Zogut, Andrea nuk u përzie fare me punët e politikës, ai ishte një nga intelektualët më të preferuar të legatave të vëndeve perëndimore që asokohe ishin të akredituara në Tiranë, të cilët shpesh e ftonin atë në shtëpitë e tyre, ku krahas bisedave të ndryshme, ata humbisnin për orë të tëra në lojën e pokerit të cilën ai e kishte mësuar që nga koha e studimeve në Francë kur frekuentonte këto ambientet ”, kujton Gjergji Xega.
Me polakun Zuber në Alpe
Duke qenë se inxhinier Andrea Xega ishte një specialist i aftë (zotëronte frengjishten, anglishten, greqishten, rumanishten dhe rusishten që e mësoi më pas në burg) dhe tepër korrekt në punën e tij, ai qëndroi në funksionin e Drejtorit të Drejtorisë së Gjeologji- Minierave në Ministrinë e Ekonomisë për 15 vite nga viti 1932 kur mbaroi studimet, e deri në vitin 1947 duke ndërruar disa qeveri dhe tre regjime, Monarkinë, pushtimin fashist dhe regjimin komunist. Lidhur me këtë nipi i tij Gjergji dëshmon: “Ndonëse Andrea nuk kishte asnjë bindje apo preferncë politike, ai ishte antikomunist i vendosur dhe kur e pyesnin se nga anonte, ai u përgjigjej se: Shqipëria ishte gjithshka për të. Ndonëse ai nuk i donte komunistët që erdhën në pushtet, atë e mbajtën në postin e Drejtorit të Gjeologjisë ngaqë ishte shumë i aftë dhe tepër korrekt në punën e tij. Që kur erdhi në Shqipëri inxhinieri i famshëm polak Zuber, ai kërkoi që të takohej menjëherë me Andrean për të cilin kishte dëgjuar dhe i kishin folur që në vendin e tij. Me Zuberin, Andrea zuri një miqësi të ngushtë dhe të shoqëruar edhe nga një ekip gjeologësh ata bënë një ekspeditë në Alpet e Shqipërisë. Në vitin 1945 kur Zuberi ishte bërë gati për t’u kthyer në atdheun e tij Poloni, ai ia dhuroi Andreas të gjithë bibliotekën që kishte në Tiranë”, kujton Gjergji.
Arrestimi nga Sigurimi i Shtetit në 1947
Ndonëse ing. Andrea Xega punoi si Drejtor i Gjeologjisë deri në vitin 1947, ai ishte futur në listat e kundërshtarëve politik që me ardhjen e komunistëve në pushtet, të cilët e kishin cilësuar dhe e shikonin si “intelektual borgjez”. Lidhur me këtë Gjergji kujton: “Krisja e madhe në mes Andreas e pushtetit komunist ndodhi pas dënimit të Sulo Klosit, inxhinierit dhe shokut të ngushtë të tij i cili u arrestua dhe u dënua me vdekje, me varje në litar aty në minierën e Rubikut ku ai punonte. Në gjyqin e Sulos, u përmend dhe emri i Andreas i cili kishte dijeni për gjoja sabotimet që ishin bërë në minera dhe që nga ajo ditë ndaj tij filluan survejimet nga ana e Sigurimit të Shtetit. Nga fillimi i vitit 1947 kur Andrea ishte ende në funksionin e Drejtorit të Gjeologjisë, ai ftoi për darkë në shtëpinë e tij misionarët e UNRA-s, të cilët ato ditë do të largoheshin nga Shqipëria. Pasi mbaroi darka dhe Andrea me pjestarët e tjerë të familjes ishte duke i përcjellë miqtë deri në fund të rrugicës së shtëpisë, një punonjës i Sigurimit që e ndiqte vazhdimisht u fut nga muri në oborrin e shtëpisë dhe i tha nënës së tij Aleksandrës, që t’i tregonte emrat e atyre që ishin në atë darkë. Ndonëse ai nuk mori asnjë përgjigjie nga nënë Sandra, u largua me të shpejtë që të mos e gjente aty Andrea. Të nesërmen e asaj nate Ministri i Ekonomisë i anulloi Andreas një shërbim që ai kishte planifikuar për në Kuçovë dhe teksa ishte duke u kthyer në shtëpi, tre civilë të Sigurimit e ndaluan dhe pasi e njoftuan se “në emër të popullit” ishte i arrestuar, i vunë prangat”, dëshmon Gjergji për arrestimin e xhaxhait tij .
Dënohet fillimisht me vdekje, dhe vuan 17 vjet burg
Pas arrestimit Andrean e dërguan për t’i bërë hetuesinë tek “Shtëpia me gjethe” ku e mbajtën për dy vjet e gjysëm duke e tortuaruar që të pranonte akuzat si “agjent i anglo-amerikanëve dhe sabotimin në miniera”. Lidhur me këtë Gjergji dëshmon: “Andrea nuk pranoi asnjë nga akuzat që iu bënë dhe mundi të shpëtonte i gjallë nga torturat vetëm në sajë të përgatitjes së lartë fizike që kishte. Megjithëse Andre nuk pranoi asnjë nga akuzat, gjyqi e dënoi me vdekje dhe pas dy vitesh, Kuvendi Popullor ia fali jetën dhe ia la dënimin me 101 vite burg. Gjatë asaj kohe i kishin larguar nga Tirana nënën dhe motrat e tija, si dhe i ishte pushkatuar vëllai Koço Xega, i cili punonte si teknik në pusnin e naftës në Pekisht. Po kështu pas arrestimit atij i sekuestruan të gjithë pasurinë së bashku me bibliotekën që i kishte dhuruar inxhinieri Zuber, e cila i dhimbte dhe më shumë nga çdo gjë që i morën komunistët. Në atë kohë që iu fal dënimi me vdekje, ne na u dha mundësia që të merrnim një takim me të dhe kur shkuam në burgun e Tiranës, pamë një kufomë që tërhiqej zvarrë pas hekurave duke çaluar dhe fytyrën që e kishte të mbuluar nga leshrat që nuk ia kishin qethur. Në atë gjendje që ai ishte katandisur, ne nuk e njohëm dhe e takuam vetëm kur na e tregoi polici. Sekuestrimin e bibliotekës, Andrea e mësoi vetëm kur i çuan për të përkthyer një nga librat që ai kishte pasur në atë bibliotekë. Më pas dënimi iu ul në 25 vite dhe atë e dërguan në burgun e Bulqizës ku drejtori i saj, Todo Manço e trajtonte shumë mirë dhe e caktoi si drejtues të Degës Teknike. Në vitin 1961 kur Andrea vunate dënimin në burgun e Bulqizës, atje shkoi dy herë për inspektim kryeministri Mehmet Shehu, i cili pasi e falenderoi që e kishte nxjerrë nga mbrapambetja atë minierë, e pyeti se çfarë kërkonte nga ai. Andrea i tha që ta lironin nga burgu dhe ta linin të punonte në profesionin e tij. Kryeministri Mehmet Shehu ia plotësoi kërkesën Andreas dhe e liroi nga burgu para kohe, kur ai kishte vuajtur plot 17 vite burg. Pasi doli nga burgu Andrea u martua me vajzën e Themistokli Lakos (në Korçë) dhe punoi disa kohë si pedagog në Politeknikumin “7 Nëntori” e më pas në Institutin e Projektimit të Minierave ku ai u bë autor i 27 Projekteve të zbatuara në vendin tonë”, rrëfen Gjergji Xega, për xhaxhanë Andrean, të parin shqiptar që ishte diplomuar për Gjeologji-Miniera në Francë, i cili vdiq në vitin 1989 pasi kishte vuajtur plot 17 vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, për të vetmin “faj” se ishte “intelektual borgjez.