Ish-deputetja e PD Grida Duma ka ndarë me publikun një pjesë të përjetimeve të saj nga tërmeti i 26 nëntorit që goditi një pjesë të mirë të vendit por edhe ka komentuar mënyrën se si po menaxhohet situata. Duma deklaroi në “News24” se trauma ka prekur edhe familjen e saj, pasi gjyshërit nuk kanë pranuar të largohen nga banesa e vjetër, por gjithsesi ajo thotë se kjo është shumë e vogël në krahasim me humbjen e jetëve.
Duma e sheh ndihmën nga Bashimi Europian si të vetmjen zgjidhje për situatën.
“Trauma është kudo. Gjyshërit e mi edhe për shkak të moshës dhe për shkak të lidhjes me shtëpinë e tyre as që largoheshin nga banesa e tyre. Disa ditë kanë fjetur në oborr. Disa prej të afërmve kanë pasur dëme në katet e para, por fatmirësisht asnjë humbje jete. Që të nesërmen kam qenë në terren. Ditët e para ka qenë një shkretëtirë shumë e trishtë. Ikja pas dy ditëve, aty ishte një lloj eksodi i dytë. E mbaj mend eksodin e parë me anije, ky ishte i dyti. E trishtë dhe e dhimbshme. Kush ka kaluar në zonat ku banesat kanë rënë është shumë e tmerrshme. Ditë të kobshme kanë qenë. Ende sot nuk ka asnjë siguri.
Një nga gjërat që pak është thënë ka qenë ndihma e munguar psikologjike. Kapacitetet duhet të vinin nga të gjitha vendet. Sidomos asistenca për fëmijët. Është një nga traumat më të gjata në historikun e psikanalizës sa i përket pasojave dhe nuk kemi bërë ende asgjë në këtë aspekt. Ajo që shikoj në tërësi sot është një negativitet i madh kudo. A është e pranueshme plotësisht, a është e kurueshme po, a po kurohet, jo? Më vjen keq ta nis kështu. Kisha vendosur që çështjen e Edi Ramës se si po qeveris ta quaja çështje të zhdukur, ishte një çështje që shqiptarët e shikonin përditë”, u shpreh Duma.