Në prag të festave të fundvitit, familja e Sefer Poçit në Farkë i është gëzuar një banesa të re. Pas tërmetit të 21 shtatorit, Sefer Poçi bashkë me familjen e tij, do të mbetej pas shtëpi, pasi banesa e vjetër nuk do të mund të përballonte dot lëkundjet e tërmetit.
Bashkia e Tiranës mori përsipër rindërtimin e saj nga e para, duke krijuar jo vetëm hapësira më të bollshme dhe një banesë të sigurt, por edhe duke plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme me mobilim dhe pajisje elektroshtëpiake.
Ata u vizituan sot nga Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, të cilët i dorëzuan kryefamiljarit edhe çelësat e banesës së re.
Nga ana e tij, Sefer Poçi vlerësoi kryebashkiakun Veliaj për mbajtjen e premtimit dhe angazhimin e të gjithë strukturave shtetërore për ndërtimin e kësaj banese, e cila është ngritur mbi rrënojat e banesës së vjetër që u shkatërrua tërësisht nga tërmeti duke rrezikuar edhe jetën e pjesëtarëve të kësaj familjes.
Bashkia e Tiranës është angazhuar që bashkë me qeverinë të rindërtojë të gjithë banesat e dëmtuara edhe nga tërmeti i 26 nëntorit, ndërkohë që ato me dëmtime të pjesshme do të meremetohen.
Gjer në zgjidhjen përfundimtare, Bashkia e Tiranës ka ofruar bonus qiraje 100 % për familjet e prekura nga tërmeti. /e.s/