Pas Pazarit të Ri, Kalasë së Tiranës dhe Sheshit Skënderbej, stina e festave ka mbërritur edhe në Parkun e Liqenit Artificial. Nën ritmet e muzikës dhe këngëve të gëzueshme të fundvitit të kënduara nga fëmijët, kryebashkiaku Erion Veliaj, që kësaj here kishte marrë me vete edhe djalin e tij, Kajanin, ndezi dritat e pemës së krishtlindjeve, duke sjellë në një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit festa dhe atmosferën e gëzueshme.
Duke uruar gëzuar festat, Veliaj theksoi se qyteti la pas ditët e vështira që shkaktoi tërmeti dhe falë bujarisë dhe solidaritetit të qytetarëve, arriti të ringrihet sërish edhe më i fortë.
“Sot është një ditë shumë e veçantë sepse ndezim dritat në Parkun e Liqenit, një nga hapësirat më të bukura për fëmijët. Jam shumë i lumtur që në këto 4-5 vitet e fundit, kemi bërë një kënd lodrash në krahun tonë të djathtë, një kënd lodrash në krahun tonë të majtë. Për të gjithë mamat dhe babat që janë sportistë kemi bërë një pistë ku mund të vrapojnë; për të gjithë motrat dhe vëllezërit e mëdhenj, kemi bërë pista që ata të ecin me biçikletë. Por, asnjëherë nuk kishim bërë dritat e Vitit të Ri te Parku. Kjo është hera e parë që ndezim dritat dhe zbukurojmë parkun e Liqenit, pas Pazarit të Ri, pas Kalasë dhe pas sheshit “Skënderbej”. Kjo është gjithashtu hera e parë që kemi një bredh natyral. Kjo është hera e parë që çuni im ka ardhur për të ndezur dritat”, tha Veliaj.
Më tej, ai uroi që ditët e vështira që shkaktoi tërmeti t’i mbeten të shkuarës dhe që viti i ri 2020 të sjellë për Tiranën, por edhe për gjithë shqiptarët, më shumë gëzime dhe lumturi. “Teksa numërojmë mbrapsht do të doja që çfarë gjëra të këqija kanë ndodhur, gjëra që nuk na kanë pëlqyer, që na kanë shkaktuar dhimbje, t’i lemë pas me vitin që iku dhe viti që vjen të jetë një vit më i begatë, më i lumtur, më i gëzuar, që nuk na shkakton jo vetëm asnjë dhimbje, por që na mbush me dashuri për njëri-tjetrin, për Tiranën dhe gjithë Shqipërinë”, theksoi Veliaj.
Gjithashtu, kreu i Bashkisë së Tiranës ftoi fëmijët që t’i bashkohen nismës së “Kutisë” për të dhuruar lodra për fëmijët e familjeve të prekura nga tërmeti.
“Unë shpresoj shumë që çunat dhe gocat e Tiranës të na japin një dorë, që të marrim një kuti bosh këpucësh dhe ta mbushim me gjëra që mund të jenë dhurata për një çun ose një gocë në Durrës, Thumanë, Krujë ose Laç, atje ku edhe tërmeti i preku më shumë, si një mënyrë që ta harrojmë frikën dhe trembjen e tërmetit. Ta marrim kutinë e këpucëve dhe ta mbushim me kukulla, nëse jemi goca, me këto figurat e animuara, me makina, disa lodra të vogla, me stilolapsa me ngjyra, me ndonjë dhuratë të vogël. Pasi ta mbushim, ta paketojmë, të vëmë emrin tonë, moshën, që pastaj t’ia japim një çuni ose një goce që ka moshën tuaj në një nga qytetet e prekura. Kështu tregojmë që jo vetëm nuk trembemi në Tiranë, jo vetëm nuk mbyllemi brenda nga frika, jo vetëm e shijojmë jetën, por duam të ndihmojmë dhe ata të tjerët, që ndoshta kanë nevojë më shumë se ne”, u shpreh Veliaj. /e.s/