Kryeministri Edi Rama priti sot në një takim përfaqësuesit e Bankës së Këshillit të Europës, e cila ka akorduar një donacion prej gjysmë milioni euro për të asistuar planifikimin e projektimin, me të gjithë gatishmërinë për të mbështetur me fonde të tjera Programin e Rindërtimit.
Në fillim të takimit, përfaqësuesi i Bankës së Këshillit të Europës u shpreh se “ne duam të dimë nëse ka projekte të tjera me qëllim që të ndihmojmë”.
Kryeministri shprehu mirënjohjen për donacionin e Bankës së Këshillit të Europës, ndërsa vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer me Bankën. “Ne kemi shumë projekte dhe një prej tyre është ai për strehimin social. Ky projekt që u arrit kur isha kryetar bashkie, më bën krenar”, tha Rama, gjatë këtij takimi.
Rama falënderoi për këtë donacion, ndërsa u shpreh se ne shpresojmë se do të kemi një konferencë donatorësh.
“Shpresojmë se konferenca do të mbahet së shpejti dhe ne të marrim më shumë. Por, në të njëjtën kohë ne do të shohim se çfarë gjërash të tjera mund të bëjmë së bashku me ju. Kemi shkolla, kopshte dhe institucione te kujdesit parësor që kanë nevojë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “është mirë ta kemi këtë fond për të ndihmuar të dobëtit”. “Na duhen të përqendrohemi te projektet dhe planifikimi. Kemi edhe disa lagje që duhen ndërtuar nga e para. Pra, na duhen dhjetra inxhinjerë të merren me llogaritje”, theksoi Kryeministri.
g.kosovari