Zv.kryeministri, Erion Braçe i bën thirrje prokurorisë të kryejë hetime gjithëpërfshirëse sa i përket përgjegjësve të dëmeve pas tërmetit të 26 nëntorit.
Gjatë emisionit “Përballë” në RTSH, Braçe foli edhe për rastin e pallateve të shembura në Thumanë.
“Institucioni që po merret me këtë gjë është Prokuroria, që duhet t’I shkojë deri në fund kësaj historie. Prokuroria duhet të bëj hetime gjithëpërfshirëse, për të nxjerrë përgjegjësinë e çdo strukture”, – tha zv.kryeministri.
Braçe foli edhe për qëndrimin e kryetarit të PD-së Lulzim Basha.
“Edhe ai si unë e ndjente se sa dramatike ishte ajo qe kishte ndodhur. Edhe unë, edhe ai ishim në të njëjtën gjendje dhe rrinim poshtë pallati, ku kishin mbetur banorë, sado që çdo 15 minuta pallati tundej si pasojë e lëkundjeve, – tha Braçe në RTSH.
Gjithashtu, zv. kryeministri Braçe tha se ndërtuesit që refuzojnë të rekuperojnë dëmet në godinat e ndërtuara jashtë standardeve do të kallëzohen penalisht.
“Këta duhet ta bëjnë tani në Durrës dhe Tiranë. Nëse nuk do ta bëjnë, gjëja e parë që do të bëjmë ne është kallëzimi penal i tyre”, tha ai duke shtuar se “rregullat e deritanishme për sektorin e ndërtimit garantojnë klientelizëm dhe korrupsion”.
Ai tha se qeveria do të ndërmarrë ndryshime ligjore për të adresuar këtë shqetësim. “Duhet t’i vëmë fre kulturës së lakmisë dhe të babëzisë në sektorin e ndërtimit. Duhet të ndryshojnë sistemin që kemi, që është thellësisht privat dhe i pakontrollueshëm. Do ta ndryshojmë me ligj. Të fusim oponencën nga institucionet publike. IGJEUM-i duhet të marrë rolin e oponencës publike në hartimin e kodeve të reja të ndërtimit. Këtë sistem duhet ta nxjerrim nga klientelizmi i grupeve të ndërtimit, – tha Braçe në RTSH.
/a.r