Qeveria me një vendim të posaçëm ka vendosur që asnjë shpërblim për punonjësit e administratës të mos jepet në fundviti.
Vendimi i marrë më 6 dhjetor parashikon ndalimin e përdorimit të fondit të posaçëm, rezervë të institucioneve ku parashikohet edhe organizimi i aktivitetet kulturore apo i shpërblimeve.
“Pika 9, e vendimit nr. 929, datë 17.11.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, riformulohet, si më poshtë vijon: “9. Përjashtimisht për vitin 2019, fondi i veçantë i institucioneve qendrore, buxhetore dhe jo buxhetore, institucioneve të vetëqeverisjes vendore, njësive të fondeve speciale, institucioneve publike, të krijuara me ligj të posaçëm, ndërmarrjeve dhe shoqërive tregtare me kapital mbi 50% shtetëror, në varësi të institucioneve qendrore dhe të vetëqeverisjes vendore, nuk do të përdoret për veprimtari social-kulturore dhe shpërblimin e punonjësve”, thuhet në VKM me numër 781.
Ndërsa mësohet se janë urdhëruar që të njëjtën gjë ta ndërmarrin edhe bashkitë që pjesa më e madhe e tyre qeverisen nga socialistët.
Vendimi është botuar në Fletoren Zyrtare më të fundit dhe hyn në fuqi menjëherë.
Kryeministri Rama paralajmëroi pak ditë më parë se këtë vit nuk do të ketë shpërblime për atë pjesë të administratës që kanë përfituar gjatë viteve të fundit.
Kjo lidhet me gjendjen e jashtëzakonshme që po kalon Shqipëria pas tërmetit të 26 nëntorit ku pati 51 viktima në zonën e Durrësit dhe të Thumanës.
/a.r