Nga Artur Ajazi
Një ish-deputete e ish-opozitës së vjetër në SHQUP, ka dalë dje dhe është marrë paksa me “raportin e korrupsionit” ardhur sipas saj nga organizata “Transparency International”, dhe që “Shqipëria përsa i përket korrupsionit renditet në vendin e 99-të”. Ish-deputetja ka deklaruar përmes një postimi në rrjetet sociale se “vendi ynë ka njohur përkeqësim në krahasim me një vit më parë, pasi ka pësuar një rënie me 9 vende vetem brenda vitit, dhe se kompanitë shqiptare janë detyruar të paguajnë më shumë nën dorë për zyrtarët e shtetit”.
Që korrupsioni ka qenë dhe mbetet detyrë parësore e kësaj qeverie, kjo nuk ka dyshim, që korrupsioni ka qenë dhe mbetet një prej prioriteteve të kësaj qeveria, edhe kjo nuk diskutohet, pasi flasin faktet. Por që ish-opozita e vjetër, të merret me “raporte korrupsioni” dhe me “ulje-ngritje në renditjen e vendeve sipas shkallës së korrupsionit”, kjo pastaj vlen të diskutohet paksa. Dhe në fakt, shqiptarët e dinë fare mirë, e njohën mrekullisht realitetin makabër të lindjes dhe rritjes së fenomenit më kriminal të korrupsionit, pikërisht kur Partia Demokratike mori pushtetin në 1992. Rritja dhe zhvillimi i aferave më korruptive, ka nisur pikërisht pas ardhjes së saj në pushtet, aq sa “kazani nuk mbajti më, dhe u derdh”.
Pas mbylljes ose përmbysjes së firmave piramidale (që nga elita qeverisëse e 1992-1996 quhej kapitalizmi shqiptar) rradha do ti vinte shkatërrimit të shtetit, rrënimit të gjithçkaje të bukur që ishte ngritur me “kapitalizmin prej letre” të një qeverisje skandaloze, e cila deri në dorëzimin e pushtetit me pahir, kishte ngulitur tek administrata dhe mëndja e shqiptarëve se “çdo gjë e mbaron me para”. Me para mbaron hallin, problemin, qejfin, punësimin, legalizimin, hipotekimin, tenderin, ndërtimin e pallateve katastrofike, me para fiton vendin e punës, me para merr vendimin në gjykata dhe prokurori nga “komisarët” e Plepave, me para merr provimet, me para merr postin, me para ble uzina dhe fabrika, me para ble “për skrap” tanket dhe armatimet e ushtrisë, pra me para ble gjithçka.
Ky ishte mentaliteti, ky ishte terreni dhe kjo ishte filozofia që nguliti në administratën e shtetit ish-opozita e vjetër, qysh ditën e parë kur mori pushtetin, duke zhgënjyer gjithë shqiptarët. Ky realitet vrastar për shoqërinë dhe të ardhmen e shqiptarëve, e shoqëroi vendin nga qeverisja Berisha tek ajo Nano, dhe pastaj sërish tek Berisha, duke thelluar në mënyrën më të keqe, fenomenin më negativ, që ka gërryer prej 30 vitesh drejtësinë, e cila mbart mëkatet e shumta të situatës së krijuar. Por edhe pse mëkatare, ish-opozita e vjetër, partia politike më e paaftë për të qeverisur vendin, duket se “arma” e vetme me të cilën po lufton qeverisjen Rama, është “lufta ndaj korrupsionit”.
Duke harruar se deri tani kanë drejtuar organet e drejtësisë njerëzit e saj, plepaxhinjtë që për 6 muaj kurs, morën “diplomën” e gjyqtarit dhe prokurorit, dhe se në dy dekada e gjysëm kanë zhvatur xhepat e shqiptarëve, kanë dhënë me mijëra vendime kriminale, ish-ligjvënësit e ish-opozitës, kujtojnë se mund të fitojnë vota. Kujtojnë se me “raportet e korrupsionit” të cituara gabimisht me dashje, do të mund të fshijnë të kaluarën e tyre, do të mund të tjetërsojnë mëndjet e shqiptarëve, ndërkohë që duhej ti kishin kërkuar atyre ndjesë publike. Ndjesë për piramidat, paratë e të cilave nuk u morën kurrë, ndjesë për shkatërrimin e shtetit në 1997, ndjesë për zaptimin e trojeve nga mijëra ndërtimet pa leje, ndjesë për ngritjen e korrupsionit në sistem sa ishin në pushtet, ndjesë për shpërfytyrimin e vijës bregdetare të vendit, ndjesë për ngritjen e një drejtësie skandaloze, ndjesë për pengesat e shumta që po i krijojnë vendit e institucioneve ligjzbatuese në 6 vitet e fundit, ndjesë për nxirjen e imazhit të vendit në dyert e kryeqyteteve europiane, ndjesë sepse nuk pranon bashkëpunimin institucional edhe në raste fatkeqësish me shumicën qeverisëse, por merret me “raporte korrupsioni”.
Kur dëgjon se PD merret me raporte të tilla, ata që e kanë përjetuar korrupsionin në kohën e tyre, u mbetet të thonë “paska ardhur fundi botës”.
Sakte.