Pjesa dërrmuese e donacioneve të premtuara nga shtetet e huaja, por edhe bizneset e mëdha vendase nuk kanë mbërritur akoma në llogarinë e qeverisë.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se deri më tani shuma totale e mbledhur nga dhurimet për familjet e prekura nga tërmeti është vetëm 9 milionë euro.
Sipas tabelës që përditësohet çdo 24 orë, qeveria ka arkëtuar në të gjitha llogaritë e vëna në dispozicion për dhurimet, 6.1 milionë euro, 250 milionë lekë dhe mbi 840 mijë dollarë. Nga ndihmat e vendeve të tjera deri tani ka mbërritur vetëm donacioni 500 mijë euro i qeverisë së Kosovës. Donacionet e premtuara nga shtetet e tjera, përfshirë 15 milionë eurot e Komisionit Evropian nuk janë arkëtuar ende për shkak të procedurave burokratike por edhe atyre bankare.
Nga ana tjetër një pjesë e madhe e bizneseve më të fuqishme në vend, të cilat kanë premtuar shuma të konsiderueshme donacionesh janë duke i derdhur ato më këste, jo të gjitha njëherësh.
Një ditë më parë kryeministri Edi Rama ishte në Stamboll në konferencën e vendeve islamike të organizuar nga presidenti turk Erdogan posaçërisht për të mbledhur fonde për Shqipërinë. Nga ana tjetër edhe presidenti francez makron ka thirrur një konferencë donatorësh për këtë qëllim, e cila pritet të mbahet në janar.
Qeveria shpreson të arkëtojë mbi 100 milionë euro nga donacionet, ku pjesa dërrmuese pritet nga pikërisht nga qeveritë e vendeve të tjera, por edhe organizatat ndërkombëtare.
Paralelisht shuma të kosniderueshme janë mbledhur edhe nga shoqatat apo fondacionet bamirëse vendase. Fondacioni Firdeus është zotuar për të mbledhur 5 milionë euro. Marin Mema me shoqatën “Rrënjët Shqiptare” në Nju Jork kanë mbledhur rreth 1.6 milionë euro, ndërsa fundjavë ndryshe 1.9 milionë dollarë.
Të gjitha këto para do të përdoren për rindërtimin e banesave të shkatërruara nga tërmeti i 26 nëntorit i cili ka lënë të pastreha mijëra familje kryesisht në Tiranë, Durrës, Lezhë dhe Laç. /e.s/