Zëvendëskryeministri Erion Braçe tha dje se kontrata për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren “nuk bëhet”.
Sipas Braçes, qeveria e ka bërë të ditur këtë që para një muaji “kur i pa se kompania nuk i përgjigjet dot kontratës”.
Por Ndue Kola, drejtor i kompanisë ANK që ka fituar koncesionin, i tha BIRN se ai ishte informuar mbi deklaratën e Braçes vetëm të shtunën në mëngjes dhe se ai ishte duke vijuar punën normalisht për zbatimin e saj.
“Unë jam duke aplikuar për kredi. Kontrata ka hyrë në fuqi më 4 tetor dhe unë kam afat deri në 4 tetorin e ardhshëm për fillimin e zbatimit,” tha Kola në një bisedë telefonike.
Koncesioni në fjalë synon të ndërtojë një autostradë me distancë 17 kilometra e cila lidh kryqëzimin e Milotit me fshatin Balldre në veri të Lezhës dhe ka një kosto prej afro 32 miliardë lekësh.