Inxhinierja e njohur, Luljeta Bozo, e cila ka tërhequr mjaft vëmendje këto ditë të tmerrshme për shqiptarët, që u përballën me tërmetin më të fortë të dekadave të fundit, atë të 26 nëntorit me magnitudë 6.4, flet sërish në ekranin e “News24”, duke u munduar të qetësojë qytetarët me sqarimet për këtë fenomen natyror.
Në një intervistë për gazetaren Rudina Xhunga, inxhinierja Luljeta Bozo iu tregon të gjithë qytetarëve zonat që duhet të zgjedhin për të qenë sa më të mbrojtur nga tërmeti, dhe që sipas saj, janë zonat e përbërë nga argjile të kuqe.
“Zonë e mirë e Tiranës, është gjithë ky trualli që fillon që nga Kinostudio, deri afër Pallatit me Shigjeta. Kjo zonë është e përbërë nga argjile të kuqe, të çimentuara, që janë shumë të forta. Dhe sa më i fortë të jetë trualli, aq më i sigurt është në rastin e lëkundjeve sizmike. Pse ndodhi gjithë ajo katastrofë në Kënetë? Sepse është Kënetë, i ka formacionet shumë të buta, ka shumë lëndë organike, deformohet shumë”, thekson Bozo.
Më tej, inxhinierja këshillon të gjithë qytetarët si të veprojnë në momentin kur bie tërmet, duke iu thënë që të mos tentojnë në mënyrë absolute të dalin jashtë.
“Me 21 shtator, në tërmetin e parë, të gjithë ata që u sëmurën e u plagosën, ishin nga evakuimi i çmendur. Të tërë vraponin për shkallë, u rrokullisën, thyen këmbë e duar, dhe përfunduan të gjithë nëpër spitale. Në momentin që bie tërmeti, mos lëviz nga vendi fare. Ke një tavolinë të fortë, futu poshtë tavolinës, ose nëse je i sigurt që dera sipër ka një tra futu aty. Më pas hidhi një sy shtëpisë, çfarë ka ndodhur. Ka plasur ndonjë gjë, është çarë ndonjë mure, po shikon që kolona është shkëputur nga trau, ik përjashta. Po si pe fle gjumë, unë ashtu bëra”, thotë inxhinierja.
Pjesë nga intervista
E gjetët pak kohë për ne? Sepse ju mbytën!
Po patjetër, për Rudinën do ta gjeja se s’bën( qesh). Po nuk i kam thënë për dy arsye. Unë nuk kam qejf hiç të dal në televizione. Po fakti që dalja ime i paska qetësuar njerëzit.
E ndjeni këtë gjë?
E ndjej shumë, sepse nuk guxoj të eci 10 metra në rrugë, të takoj njerëz që nuk i njoh që më përqafojnë, që thonë shyqyr që na qetësove. Dhe mundohem me fjalë fare të thjeshta të tregoj se kjo nuk është fatkeqësi, është një fenomen natyror, që ndodh, dhe që ne duhet të mësohemi që jemi në këtë vend. Ndaj duhet të marrim masat, që të mos përjetojmë ato më të rëndat, që të iki jeta e njeriut, po dëme do të ketë. Çdo tërmet do të ketë dëme.
Ishit vetëm te kjo shtëpia, që nuk i ka ndodhur asnjë gjë, vetëm një pikturë ka lëvizur?
Asnjë gjë fare. Kjo shtëpi është shumë e vjetër. Afërsisht po afrohet te 100 vjeç. Është e 1932-shit, është ndërtuar nga italianët, është ndërtim i përsosur. Aq e fortë muratura, sa t’i biesh me barre, nuk hapet. Ka bodrum, që është një avantazh shumë i madh. Të gjitha godinat që kanë bodrume janë më të sigurta. Dhe është në zonën më të mirë të Tiranës.
Cila është zonë e mirë? Që nuk është sizmike?
Zonë e mirë e Tiranës, është gjithë ky trualli që fillon që nga Kinostudio, deri afër Pallatit me Shigjeta. Kjo zonë është e përbërë nga argjile të kuqe, të çimentuara, që janë shumë të forta. Dhe sa më i fortë të jetë trualli, aq më i sigurt është në rastin e lëkundjeve sizmike. Pse ndodhi gjithë ajo katastrofë në Kënetë? Sepse është Kënetë, i ka formacionet shumë të buta, ka shumë lëndë organike, deformohet shumë. Një nga studentët e mi, që janë të fushës së gjeoteknikës, që i kam shumë të mirë, edhe vjet edhe sivjet, vajti vetë në zonën e Kënetës, për të vërtetuar këtë fenomenin e lëngëzimit, që e kanë mësuar në teori. Dhe filloi me këmbë të vibronte tokën, dhe pa që pas 1-2 minutash ajo u bë gjithë pellg uji. Ky është fenomeni i lëngëzimit. Kur ndodh lëngëzim shumë i fortë, këto lloj dherash prishin strukturë, nga dhe kthehen në llum. Dhe çfarë është ndërtuar atje, zhytet. Edhe atje ndërtohet, por duhen masa të veçanta për objektin që të mos pësojë si ai objekti që u zhyt katër kate, dhe mbeti vetëm çatia. E përpiu.
Ju shkuat, i patë?
Atë e pashë në televizor. Dje kam qenë për herë të parë në Durrës, sepse s’kam pasur kohë se nuk më kanë lënë televizionet. Dje shkova me studentët për të parë dhe kam përshtypjen se dëme janë bërë shumë, por nuk janë të gjitha të atilla që duhet të shkatërrohen. Dhe jam e bindur për këtë. Vendimin nëse duhet të shkatërrohet apo jo, nuk mund ta marrë një grup me tre veta nga njësia vendore. Për mua është shumë e gabuar. Sepse është kollaj të thuash do të shkatërrohet. Të ndërtosh jo shkatërrosh ta forcosh, jo vetëm ta biesh në gjendjen që ka qenë por edhe më mirë se aq me metodat që ekzistojnë sot. Ai ka investuar gjithë jetën e tij aty, kursimet, tani me një fjalë goje ta shkatërrojmë? Për ta shkatërruar është shumë kollaj. Futi dinamitin, e hodhe në erë mbaroi puna. Unë mendoj që ka një kategori që është shumë e vogël, që vërtet nuk qëndron në këmbë. Atje nuk mund të ndërhysh. Po këtë mendim e japin vetëm inxhinierët shumë të zotë.
A kemi inxhinierë shumë të zotë ne? Sepse frika është krijuar sikur nuk ka, që kanë ikur.
Kemi. Kanë ikur, por ka ende shumë. Dhe kemi inxhinierë jashtëzakonisht të mirë, që kanë provuar mbi veten edhe tërmete më parë, dhe që kanë qenë në situata shumë të vështira që i kanë dhënë zgjidhje, që kanë një eksperiencë të pafund në projektim dhe zbatim. Ata janë në moshën, mendoj unë 60-70 vjeç. Është tamam mosha që ata kanë eksperiencën, merri futi në grup. Jam 1000% e sigurt, që asnjë nga inxhinierët nuk do të thotë që nuk vij.
Juve ju ftuan apo shkuat vetë?
Jo, jo, mua më kanë ftuar njerëzit. Nuk pres ftesa. Ka pak burokraci në këto gjëra, mendoj unë. Që mblidhemi diskutojmë, bëjmë llafe shumë, nuk ka kohë për llafe tani, është koha e veprimit. Dhe ato njerëz që duhet të jenë në shtab duhet të jenë shumë operativ, që do të thotë ta njohësh shumë mirë situatën dhe ta menaxhosh mirë. Dhe nuk jam fare e mendimit, që oburra t’i fusim dinamitin edhe për një arsye tjetër, në qoftë se ai vërtet ka qenë një objekt i projektuar dhe ndërtuar keq, a ka dikush përgjegjësi për këtë? Ka. Tani, kur i vure dinamitin, i zhduke provat fizike, nuk është normale. Lerë atje aq kohë sa të merren të gjitha të dhënat që duhen, dhe pastaj nëse është i pariparueshëm fare, dhe rrezikon jetët e njerëzve, atëherë po, futi dinamitin.
Ju ku e gjeni gjithë këtë qetësi? Flisni me një qetësi, që tërmeti është një fenomen natyror që do të ndodhë, mbarojë?
Po kështu është, (qesh).
Është, por njerëzit, janë në panik, ende.
Ajo frikë ka dy arsye. Si fillim tërmeti është i frikshëm. Po varet si e përjeton, dhe frika përjetohet shumë më qetë kur nuk ke dëme, dhe në qoftë se ti e njeh si fenomen, nëse ti pajtohesh me idenë që herë pas here do të lëkundesh.
Por s’e kemi ditur që Shqipëria është vend sizmik.
Po pra, është mungesë informacioni. Duhet të fillojë që në shkollë fillore. Kur ra tërmeti, stërmbesa ime e madhe, që s’i ka mbushur 8 vjeçe, u tremb, sepse ç’është e vërteta nuk ishte shumë i fuqishëm, por zgjati shumë. 30 sekonda janë shumë. Ngrihet e shqetësuar për mamanë e vet që është shtatzënë dhe i thotë: “Mami mos u shqetëso, se ne na tha mësuesja, që ne jemi mbi pllaka, që lëvizin dhe ne lëkundemi.” Domethënë nëse fillon që në këtë moshë, të shpjegosh për tërmetin, pse ndodh, si duhet të reagojmë. Lëkundjet ndihen sipas truallit dhe këtë duhet ta ketë si informacion njeriu që duhet ta dijë, para se të marrë një shtëpi. Dhe pastaj ka shumë rëndësi, se kush është veprimi i parë që duhet të bësh gjatë tërmetit. Duhet të edukohet njeriu me këto masa dhe jo të ngrihen të gjithë si të çmendur edhe pse nuk kanë faj, sepse të kap tmerri. Me 21 shtator, në tërmetin e parë, të gjithë ata që u sëmurën e u plagosën, ishin nga evakuimi i çmendur. Të tërë vraponin për shkallë, u rrokullisën, thyen këmbë e duar, dhe përfunduan të gjithë nëpër spitale. Në momentin që bie tërmeti, mos lëviz nga vendi fare. Ke një tavolinë të fortë, futu poshtë tavolinës, ose nëse je i sigurt që dera sipër ka një tra futu aty. Më pas hidhi një sy shtëpisë, çfarë ka ndodhur. Ka plasur ndonjë gjë, është çarë ndonjë mure, po shikon që kolona është shkëputur nga trau, ik përjashta. Po si pe fle gjumë, unë ashtu bëra. Unë isha zgjuar, po mendohesha të ngrihesha, po u tunda si në djep 77 vjeçe. Kur mbaroi u ngrita pashë shtëpi dhe pastaj fjeta. Dhe s’ke çfarë bën, ajo është një gjë që s’e komandon ti, nuk pyet kur vjen. Deri tani thonë që do ta parashikojnë 3-4 orë përpara, uroj që ta parashikojnë, po deri tani nuk ka dalë njeri të thotë do të bjerë tërmeti pas kaq orësh.
Informacione pra, edukata, këto na mungojnë dhe duhet t’i kthejmë në shkolla?
Duhet t’i kthejmë patjetër dhe të insistojmë në këto gjëra që janë të pritshme në territorin tonë. Sepse në territorin tonë ne kemi tërmete, kemi rrëshqitje pa fund, pse? Sepse ne jemi zonë kodrinore malore. Në territorin tonë kemi shumë lumenj dhe shumë përmbytje që s’duhet t’i kemi po të marrim masat. Kemi shumë formacione shkëmbore, që i shikon anës rrugës, që janë të çara dhe ke rrezik të rrokulliset, të shkëputen shkëmbinjtë në rrugë. Pra fenomene që duhet t’i njohim
Lum kush ju ka pasur zyshë juve. E dini kë më kujtoni? Marie Curie.
Faleminderit shumë, dikur ma kanë pas vënë këtë epitet.
Ju thoshin në shkollë?
Më thoshin kolegët, edhe studentët vite më parë, Marie Curie e Shqipërisë.
Nuk ju ka munguar dashuria e studentëve, kolegëve?
Asnjëherë dhe ky ndoshta është faktori kryesor që unë sot jam kaq aktive që sot e kësaj dite. E para që punoj me të rinjtë, që është privilegj, se ti jep po merr shumë nga rinia. E dyta gjithë kjo dashuri, transmetohet. Kam shëtitur shumë nëpër botë dhe kam takuar ish-studentë të mi, që sot janë bërë edhe gjyshër. Më takojnë me një mall. Kjo është pasuria më e madhe, nuk e blej dot me asnjë lek. Dhe në një shkrim që ka bërë një gazetar, në 65-vjetor, i thashë këtë shprehje që jam gruaja më e pasur në botë. Pse më tha? Sepse kam një lloj dashurie që nuk blihet me asnjë lloj leku, as me flori asnjë gjë. Pasuria më e madhe, është dashuria, mirënjohja dhe gjurmët që ke lënë ti në jetë. Dhe ai kështu e kishte titulluar shkrimin “Jam gruaja më e pasur në botë”. Kur e pa Todi, mos tha se do të na vijnë të na vjedhin shtëpinë, se kujtojnë kushedi çfarë pasurie ka kjo. I thash hajduti e di ku shkon, libër do të vjedhë hajduti, ai do para ç’i do librat.
Ju mungon Todi?
Po më mungon shumë. Por shyqyr Zotit unë e kam shtëpinë plot. Fëmijët nuk më kanë ikur kurrë dhe ky është një bekim i madh për mua. I kam edhe djalin edhe vajzën, edhe Petrin edhe Lilën, edhe mbesën me nipat. Kam dy stërmbesa, tani do të bëhem edhe me një stërnip. Kjo është familje e ngushtë. Por gjithë rrethi, vëllezërit, sepse ne jemi pesë vëllezër e motra. Nga ana e Todit ka mbetur nipi tani, sepse kanë ikur të gjithë, Gjithë vëllezërit e motrat e Todit kanë ikur. I mblodhi nënë Ata, i mori me vete. I pruri të 11 në jetë, por tani i mblodhi. Kjo është jeta. Por kam gjithë studentët, ish-inxhinierët, pa fund më vijnë në shtëpi.
Çfarë dashurie! Mua nuk më ka ndodhur ndonjëherë të bëj diçka në Instagram, dhe të më shkruajnë kaq shumë njerëz. Jua shoqërova portretin me këngën e Vaçe Zelës.
Faleminderit shumë, më keni bërë nder shumë të madh, sepse Vaçja është e paarritshme. S’ka tjetër si Vaçja.
Dhe shkrova: “Po ku ka si ty moj Shqipëria ime! Shqipëria që shfaqet herë si një shtëpi e herë si një njeri, nga ata si Luljeta Bozo, zonja që do të mbahet mend gjatë e për mirë. Askush nuk ka më dyshim, kush do të jetë njeriu vitit, këtë dhjetor. Zonja që na ngrohu zemrat dhe qetësoi mendjen, këtë javë të pashlyeshme për të gjithë ne. Faleminderit zonja Bozo, ju jeni një shqiptare e mrekullueshme!” Por njerëzit që të urojnë, që të duan, e jashtëzakonshme!
Nga kjo e marr fuqinë. Kjo është fuqia që merr njeriu, po mori mallkime ka marrë fund.
Këtu kujtonin që nuk kishte më njerëz si ju!
Ka plot, boll të kërkoni, pafund ka. Unë jam një nga njerëzit e zakonshëm, s’jam e jashtëzakonshme. Por si unë ka sa të duash, plot, plot, plot. Mbi të gjitha ka profesionistë shumë të mirë në Shqipëri, të cilët nuk duhen lënë në harresë, pavarësisht se kanë arritur moshën e pensionit. Ata vazhdojnë të jenë aktivë. Atë ditë që isha me studentët në Durrës, erdhën tre-katër nga ish-studentët e mi. Unë memorien vizuale e kam absolute. I njoha, 40 vjet më parë kishin mbaruar, i njoha, por emrat i harroj. Edhe i takova, i pyeta: “Por çfarë bëni!” “Iç!”,- më thanë. “Në pension? Po si more rrini në pension? Shkoni jepni mendjen tuaj?”, u thashë. “Po kush na ka thirrur më thanë?” “Po punë e madhe se s’ju kanë thirrur. Shkoni vetë dhe u thoni: “Ne jemi me kaq vjet 40-45 vjet eksperiencë, doni t’ju ndihmojmë për këtë?” Shkoni more ofrohuni vetë!” E kanë zor njerëzit të ofrohen sepse mesa duket nuk e gjejnë këtë forcë magnetike që t’i tërheqë dhe t’i vlerësojë. Sepse njeriun po e vlerësove jep maksimumin. Kur e ndjen ai që shoqëria, të tjerët e vlerësojnë, ai merr forcën dhe jep akoma më shumë. Fuqitë e njeriut janë të pashtershme. /e.s/