Komisioneri i BE-së për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarčič ka mbërritur ditën e sotme në Shqipëri, ndërsa paradite ishte në Durrës për të parë nga afër gjendjen pas tërmetit tragjik. Ai ka zhvilluar një takim me kryeministrin Rama në bashkinë e Durrësit duke e vendosur theksin te vlerësimi i nevojave.
“Ka një parakusht, është vlerësimi i nevojave pas kësaj fatkeqësie. Jemi lidhur me OKB-në me institucionet financiare. Do të jetë një punë shumë e rëndësishme, pasi do të orientojë këto cështje te vlerësimi i nevojave. Gjërat po shkojnë sikur duhet. Të përfshihen edhe ndryshime në parandalimin. Unë do të shkoj të vizitoj sot disa nga zonat që janë prekur” tha ai.
Kryeministri Rama në fjalën e tij e vendosi theksin te krijimi në të ardhmen te një strukturë e vetme në Ballkanin Perëndimor që të aktivizohej menjëherë sapo në një nga këto vende të kishte një fatkeqësi natyrore, ashtu sikur funksionojnë vendet e BE-së.
“Ne nuk mund të parandalojmë tërmetet, por dëmet më të shumta. Do të ishte fantastike që të bënim, që në mënyrë të natyrshme, që ata ekipe që do të merreshin me fatkeqësitë natyrore në Ballkanin Perëndimor, të shikohej si infrastrukturë e vetme, si ajo në BE që funksionon. Pra të marrim pjesë si të vetëm, mund të jemi më të fortë nëse krijojmë një mekanizëm, që menjëherë sapo të ndodhë dicka në një nga këto vende të shkojnë menjëherë” tha ai.
Janez Lenarčič e pyeti kryeministrin Rama se cilat janë nevojat më emergjente.
“Kemi dy kategori njerëzish në nevojë ata që jetojnë në zona të hapura, në zonat urbane dhe rurale. Një pjesë janë sistemuar në hotele, por qëllimi im është që të qëndrojnë aty deri për festat dhe në janar ti lëvizim nga hotele në apartamente me qira. Unë mendoj se duhet të kemi një fond të integruar. Shteti ka përgjegjësi dhe nuk mund të lerë cdo lloj organizate që të shkojë dhe të bëjë punën e saj. Nga buxheti kemi vendosur një fond për rindërtimin.
E kemi menduar sikur të mos kishim asgjë nga vendet e tjera. Pas miratimit në parlament, Luigi do të ketë të gjitha hollësitë. Nuk duhet të ndërpresim shërbimet bazë nga buxheti. Duhet të shkojmë në tregjet financiare për eurobonde, ata nuk kanë dhimbsuri, por si njerëz që kërkojmë para, thjeshtë para. Ata duan të shikojnë shifrat dhe nëse situata jonë nuk ua konfirmon atë situatë që duhet pse do të na japin para? Kam folur me Luigin, pasi të normalizohen gjërat të organizojmë një ceremoni me të gjitha vendet, pasi duam t’u falenderojmë edhe me medaljet që ju i meritoni, ndoshta nga data 20-21” tha Rama.
Më pas Rama e njohu edhe me vendimet që ka marrë qeveria dhe synimi për Konferencën e Donatorëve. Më pas gjatë ditës së sotme Janez Lenarčič do të vizitojë kampin e Vorës sot në orën 12:30.
g.kosovari