Kryetari i Partisë Demokratike ka falënderuar Komisionin Europian dhe Presidenten Von der Leyen për ndihmat e dhëna ditët e fundit për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, në Thumanë e Durrës.
Përmes një postimi të bërë në Twitter, Lulzim Basha shprehet mirënjohës për mbështetjen në këto kohë të vështira ku kanë mbetur të pastrehë mijëra persona, të cilat kanë nevojë për strehim dhe shërbime.
“Mirenjohës për mbështetjen humanitare nga Ursula von der Leyen dhe Komisioni Europian në këto kohë të vështira pas tërmetit të 26 Nëntorit i cili ka lënë me mijëra të pastrehë dhe në nevojë urgjente për strehim dhe shërbime”.
Tërmeti i 26 nëntorit me magnitudë 6.4 ballë la pas 51 viktima dhe mbi 900 të lënduar, ndërsa dëme të shumta u shënuan në ndërtesa në disa qarqe të vendit. /e.s/