“U largua një qytetar i padenjë i Republikës, i cili, të gjithë karrierën e tij akademike e profesionale e kishte ngritur mbi një mashtrim të madh. U largua një plagjiator, që vodhi studimet e të tjerëve dhe me to fitoi një gradë shkencore të pamerituar, të cilën Universiteti i Tiranës dhe Ministria e Arsimit, për turpin e tyre, nuk ia hoqën. U largua një falsifikator i paskrupullt dhe i rrezikshëm i njërës prej periudhave më të ndritura të historisë sonë kombëtare, asaj të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. U largua një drejtues i padenjë i një institucioni” – thotë profesor Fatos Tarifa, në këtë intervistë për Dita i pyetur mbi lajmin e largimit nga Shqipëria dhe kërkimit të azilit politik nga ish-drejtori i ISKPK, Agron Tufa.
Profesor Tarifa dhe bashkëpunëtorë të gazetës bashkë me drejtuesit e saj ishin hedhur në gjyq nga Tufa,
“Që ta përdorte këtë proces gjyqësor si një alibi për kërkesën e tij për azil politik, së bashku me pretendimet krejt mashtruese për rreziqet që gjoja i kanosen jetës së tij në Shqipëri” – thotë Tarifa.
Prof. Tarifa, ju keni qenë prej kohësh një kritik konsekuent dhe i ashpër i Agron Tufës dhe i veprimtarisë së Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKPK) në Shqipëri, që Tufa e ka drejtuar për shumë vite me radhë, deri disa ditë më parë, kur ai e ka lënë detyrën dhe ka kërkuar azil politik në një shtet europian. Ç’mund të na thoni për këtë akt të tij.
Nuk jam aspak i habitur nga largimi i Agron Tufës dhe kërkesa e tij për azil politik. Në fakt, këtë e kam parashikuar dhe e kam thënë më shumë se dy muaj më parë, kur një ndër portalet online te ne botoi një lajm se gjoja z. Tufa dhe avokati i tij ishin kërcënuar me jetë!!!
Në atë kohë, më 30 shtator të këtij viti, unë shkrova një koment me titull “Mjaft me këmbana alarmi të rremë! Nga se rrezikohet vërtet z. Agron Tufa?”, të cilin kjo gazetë e botoi në të njëjtën faqe me lajmin e rremë për kërcënimin e Tufës. Po atë ditë, në një prej rrjeteve socialë, u shpreha se nuk duhej të çuditeshim aspak nëse një ditë, z. Tufa, me një kopje të përkthyer e të noterizuar të “kërcënimit” që i ishte bërë dhe që qe njoftuar në media, të kërkonte azil politik diku jashtë vendit.
Dhe ja ku ndodhi.
Sa njerëz të privilegjuar në këtë vend kanë pretenduar se kanë qenë të shtypur e të persekutuar për të marrë azil politik! Sa të tjerë, heteroseksualë, janë vetëquajtur homoseksualë apo transverstitë dhe kanë deklaruar se gjoja diskriminohen e persekutohen në Shqipëri për t’u pranuar azilantë në një vend europian! Agron Tufa është një ndër ta.
Dhe po aq “i kërcënuar, i diskriminuar dhe i persekutuar” se ata.
Ç’do të thotë për publikun dhe për shtetin shqiptar largimi i z. Tufa nga vendi dhe kërkesa e tij për azil politik?
Do të thotë shumë gjëra njëherësh. U largua një qytetar i padenjë i Republikës, i cili, të gjithë karrierën e tij akademike e profesionale e kishte ngritur mbi një mashtrim të madh. U largua një plagjiator, që vodhi studimet e të tjerëve dhe me to fitoi një gradë shkencore të pamerituar, të cilën Universiteti i Tiranës dhe Ministria e Arsimit, për turpin e tyre, nuk ia hoqën.
U largua një falsifikator i paskrupullt dhe i rrezikshëm i njërës prej periudhave më të ndritura të historisë sonë kombëtare, asaj të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. U largua një drejtues i padenjë i një institucioni, i cili, nën drejtimin e tij, e shkeli kornizën ligjore të veprimtarisë së vet. U largua një “intelektual” burracak e sherrxhi, që s’la njeri pa kërcënuar se do ta hidhte në gjyq, përfshirë edhe ata të cilëve u kishte vjedhur studimet.
U largua një ndër të shumtët e tufës së të ngjashmëve të tij. U largua një poet “i përkëdhelur” i të gjitha qeverive, që duhet të ketë pasur cilësi rasputiniane për t’u admiruar prej tyre.
Ky është njeriu që u largua! Azilanti më i fundit shqiptar në Europë! Që s’kishte të hante, s’kishte veshmbathje, ishte mbyllur me vite në burg, ishte i papunë, nuk ia njihnin meritat e shquara letrare dhe akademike – me një fjalë, jetonte në kushtet e një mungese të plotë lirie e dinjiteti njerëzor. Agron Tufa!
Profesor, kjo gazetë, ju vetë si një ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të saj, deputeti socialist Spartak Braho, mjeku i njohur Sabit Brokaj, diplomati Shaqir Vukaj dhe poeti i mirënjohur Arben Duka, jeni akuzuar kolektivisht nga Agron Tufa për shpifje ndaj tij për shkak të detyrës. Për disa muaj me radhë janë zhvilluar disa seanca gjyqësore, por janë anuluar e shtyrë më shumë të tilla, edhe për shkak se vetë Agron Tufa nuk është paraqitur. Ç’ndodh në këto rrethana me padinë e ngritur nga z. Tufa ndaj jush kolektivisht?
Ndoshta do të duhet të vemi ne, të paditurit prej tij, atje ku ai tashmë jeton si azilant, që të ngremë padi kundër z. Tufa për mashtrim prej tij të autoriteteve zyrtare të emigracionit në atë vend 🙂 Bëj shaka.
Nuk duhet të habiteni nëse ju them se z. Tufa ngriti një padi kundër nesh disa muaj më parë me synimin që, në një moment të përshtatshëm për të, ta përdorte këtë proces gjyqësor si një alibi për kërkesën e tij për azil politik, së bashku me pretendimet krejt mashtruese për rreziqet që gjoja i kanosen jetës së tij në Shqipëri.
Më kuptoni, Tufës i duhej një “package”, kërcënime “phony” për t’i marrë jetën dhe një proces gjyqësor pa asnjë meritë, të cilin e provokoi vetë ai dhe, pastaj, si një burracak, e braktisi.
Dhe ç’mund të thoni për qëndrimin e Kuvendit dhe të kryeministrit ndaj një propozimi që deputeti socialist Spartak Braho dhe deputetë të tjerë i kanë bërë Kuvendit kohë më parë për t’i ndaluar ISKPK-së, që deri dje e drejtonte z. Tufa, të merret me periudhën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare?
Ç’mund të them, veçse të shpreh habinë dhe indinjatën time të thellë për këtë moskokëçarje dhe papërgjegjësi të madhe ndaj një çështjeje që duhej të ishte zgjidhur kohë më parë. Por tashmë jemi mësuar me “vonesa” e “pakujdesi” të kësaj natyre, sepse vendi ka probleme shumë më të mëdha për të zgjidhur, dhe 75 vite pas asaj Lufte të Madhe, asgjë e keqe s’u vjen shqiptarëve nëse një Agron Tufë apo një Çelo Hoxhë vazhdojnë t’i quajnë heronjtë e Luftës kriminelë dhe kriminelët e saj heronj.
/Gazeta Dita