Nga Ilir Yzeiri
Ajo që pritej ndodhi. Në fillim u duk sikur palët në konflikt, për shkak të tragjedisë së tërmetit, do të mbyllnin për pak kohë gojën dhe do të hapnin veshët dhe mendjen për të dëgjuar klithmat e të vdekurve dhe për të kuptuar se ka çaste në jetë kur protagonistë nuk janë ata, por janë të tjerë, protagoniste është vdekja. I shpartalluar mendërisht, si gjithmonë, ai që çeli garën e ligjërimit nekrofil, Sali Berisha, udhëhoqi edhe këtë radhë turbullirën dhe llumin e gjuhës që, edhe në raste vdekjeje, nxin e shan, mallkon dhe fërgëllon buzët e holla si të nepërkës në mënyrë që këtë tragjedi ta projektojnë te kundërshtari politik. Aq të lodhshëm dhe të padurueshëm janë bërë të gjithë ata që edhe në një rast si ky përpiqen të fitojnë kapital politik duke sharë Edi Ramën apo duke fajësuar qeverinë, sa tani, jo vetëm që nuk ngjallin asnjë shpresë për ta mundur Ramën politikisht, por po na bindin se ata një dorë e padukshme i ka vënë të punojnë që Rama dhe qeveria e tij, me gjithë kusuret që kanë, të rrijnë mot e jetë aty ku janë. Mirëpo kjo është ana më pa rëndësi në gjithë këtë histori tragjike që sapo kaluam.
Ndërkaq, një pjesë e konsiderueshme e atyre që kanë mundësi të shfytëzojnë mediet dhe të duken në tv duke dhënë mend apo duke shpartalluar veshët e shqiptarëve, nuk treguan as një të mijtën e dinjitetit që treguan ata shqiptarë që pësuan tragjedinë. Kjo pjesë e shqiptarëve që e përballoi me dinjitet këtë tragjedi të llahtarshme, që futi në varr jo një e dy, por disa herë edhe më shumë anëtarë të familjes, janë Shqipëria e vërtetë, ajo Shqipëri që ka treguar gjithnjë vetëpërmbajtje, që e ka përcjellë fatin e vet me shumë personalitet. Nuk dëgjuam nga ata asnjë ankesë, nuk dëgjuam prej tyre asnjë sharje apo zemërim të papërmbajtur. Përkundrazi, me sytë ulur në tokë dhe me duart lidhur, me vështrimin humbur atje ku askush nuk e di se ku, ata përcillnin miqtë e dashamirët që u vinin për ngushëllim. Ndërkohë, pjesa tjetër e Shqipërisë, ajo që gjendet në formacionet politike apo në mediet ku shkapërderdhen lloj-lloj njerëzish që nuk dinë çfarë flasin dhe nuk dinë se kujt i flisnin, paraqisnin një Shqipëri qaramane, llafazane dhe gojëprishur, njerëz që pa u menduar as edhe një grimë, shpifnin dhe tregonin se ky vend ku jetojmë të gjithë nuk është Shqipëria, por ndonjë vend në Afrikë ku njerëzit hanë njerëz të tjerë, ku hijenat janë ngritur në këmbë e po hanë të vdekurit, ku qeveria nuk ekziston e plot marrëzi të tjera.
Nuk kam ndërmend të tregoj se sa e zonja është kjo qeveri dhe se sa mirë e ka menaxhuar këtë tragjedi. Ajo do të duket te projekti që do të shpallë dhe te realizimi i atij projekti. Dhe kjo do kohë. Por jam krenar ta them se unë jetoj në një vend normal europian dhe kam një qeveri të përgjegjshme, e cila, qysh në momentin e parë e deri në fund, ngriti shtetin në këmbë dhe bëri të pamundurën për t’iu gjendur njerëzve pranë dhe për t’i ndihmuar ata. Falë kësaj qeverie vërshuan nga të katër anët ndihma dhe erdhën specialistë nga më të mirët për të përballuar krizën. Kjo gatishmëri dhe sidomos solidariteti i pashoq i shqiptarëve me emër e shqiptarëve të thjeshtë, solidariteti i europianëve, i tifozëve, i klubeve sportive, pra ndjeshmëria e madhe që shkaktoi kjo tragjedi, më bëri të ndjehem përsëri si banor i një vendi normal europian.
Në anën tjetër, këto ditë në media ka qarkulluar edhe historia që tregon se si e menaxhoi diktatura e Enver Hoxhës tërmetin katastrofik të Dibrës në vitin 1967 dhe atë të Shkodrës në vitin 1979. Nuk kam ndërmend këtu as të tregoj se kush ishte Enver Hoxha dhe çfarë ishte ajo diktaturë. Në këtë pikë i mbahem mendimit të Pëllumb Kullës që, në një emision të « Provokacijes » të Mustafa Nanos, është shprehur se Hoxha është një figurë komplekse. Ndërsa, në rastin e tërmeteve që përmenda, apo edhe në raste të tjera, diktatura u tregua super e aftë se mobilizoi solidaritetin dhe shpirtin vullnetar të shqiptarëve dhe « një për të gjithë e të gjithë për një » që mund të na duket banale sot, është shpirti që mban gjallë humanizmin, vëllazërinë dhe solidaritetin. Natyrisht që sot kanë hyrë në lojë mekanizma të tjera apo ato që quhen mekanizma tregu. Në një fatkeqësi si kjo të parët që do të nxitojnë të përfitojnë do të jenë grupet kriminale apo ato klane ekonomike që do të shtijnë në dorë projektet dhe në mënyrë tragjike do të kërkojnë t’i devijojnë ato. Më kujtohet në këtë rast, dështimi endemik në Italinë fqinje me projektin Moze për mbrojtjen e Venecias nga përmbytjet dhe abuzimet me fondet për ndërtimin e asaj prite që deri tani ka gëlltitur më shumë se një miliard euro dhe ende nuk është vënën në funksionim.
Qeveria shqiptare e Edi Ramës është përballë sfidës më të madhe që ka kaluar ndonjë qeveri në këta tridhjetë e ca vjet tranzicion. Ajo duhet të evidentojë banesat e shkatërruara, ato që duhen prishur, duhet të evdientojë gabimet që janë bërë dhe autorët e tyre dhe duhet, më në fund, të vendosë një afat dhe të tregojë konkretisht se si do t’i sistemojë ata që humbën banesat nga tërmeti, ata që do të dalin nga shtëpitë për shkak se banesat e tyre do të shemben dhe të tregojë me rigorozitet se cilat ishin shkaqet reale që ato banesa zunë përfund qindra shqiptarë dhe përse disa të tjera duhen shembur. Mbi të gjitha, ajo duhet të përcaktojë edhe afate. Diktatura, për të shëruar plagët e fatkeqësive natyrore mobilizonte vullnetarët dhe i meremetonte dëmet me punën e papaguar të shqiptarëve, qeveritë demokratike që të riparojnë dëmet duhet të paguajnë dhe të gjejnë fonde. Mirëpo, nëse ato fonde nuk shkojnë ashtu siç është parashikuar te ata që kanë nevojë, por shërbejnë për të pasuraur ata që nuk ngopen kurrë me pasuri, atëhere, gjërat bëhen serioze dhe mos u çudisnin kur shkrimet për mënyrën se si i përballonte diktatura fatkeqësitë do të na shijojnë më shumë.