Leyla Moses-Ones, e ngarkuara me punë nga SHBA-ja, ka vizituar Bashkinë Durrës ditën e sotme, për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë pas tërmetit të 26 nëntorit. Së bashku me të ka qenë edhe Drejtoresha e Misionit të USAID në Shqipëri, Mikaela Meredith.
Përfaqësuesja diplomatike e USAID-it ka qenë e shoqëruar nga shtabi i emergjencës, të cilët do të bëjnë vlerësimet e duhura.
E pyetur nga gazetari i Report Tv se cila është mbështetja që SHBA ka dhënë, ajo është shprehur se u shprehin ngusheëllime për këtë ngjarje dhe se do të japin ndihmën e duhur që nevojitet.
“Do të ndihmojë edhe UNICEF, pasi do të mbështesë 9 mijë fëmijë të prekur nga tërmeti. Do të mundësohet një vlerësim për banesat e shkatërruara. I kemi dhënë një grant Kryqit të Kuq që do të merret me ndihma e menjëherëshme humanitare”, është shprehur Moses-Ones.
Bashkë me Moses-Ones, në Durrës kanë mbërritur edhe inxhinierë strukturash nga Departamentet Zjarrfikëse të konteve Fairfax dhe Los Angeles, të cilët do të ndihmojnë në vlerësimin e dëmeve në godina dhe infrastruktura, si pjesë e mbështetjes së qeverisë së Shteteve të Bashkuara për rimëkëmbjen nga tërmeti.
Ky ekip do të ndihmojë në përcaktimin e shtëpive, shkollave dhe ndërtesave të tjera që janë të sigurta për rikthimin e njerëzve. /e.s/