Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj përmes një postimi në “Facebook” ka reaguar për një video që u përhap në media, ku thuhej se punonjësit e policisë po vidhnin disa pako me ndihma.
Por Lleshaj sqaron se janë materiale provë që i janë kapur hajdutëve.
“O të mjerë! Ato qese, që kanë ngazëllyer maninë tuaj perverse, janë prova materiale, që i janë kapur një hajduti si puna juaj dhe nuk po shkojnë në zyrën e Ministrit të Brendshëm, por në depon e provave materiale të SHÇBA, struktura që po kryen hetimin në zbatim të detyrave të prokurorit përgjegjës”, shkruan ministri Lleshaj.
Postimi i plotë:
Edhe korbat kemi mangut….
Teksa jam në Kurbin, në punë për menaxhimin e gjendjes së rëndë, më njoftojnë se disa pisa pa nder dhe dinjitet kanë publikuar një mashtrim të ulët.
Patjetër që duhet të jenë me shumë përvojë në poshtërsira, përderisa imagjinata perverse e tyre prodhon turpe të tilla.
O të mjerë! Ato qese, që kanë ngazëllyer maninë tuaj perverse, janë prova materiale, që i janë kapur një hajduti si puna juaj dhe nuk po shkojnë në zyrën e Ministrit të Brendshëm, por në depon e provave materiale të SHÇBA, struktura që po kryen hetimin në zbatim të detyrave të prokurorit përgjegjës.
Për këtë turp, tani keni dy rrugë:
Ose të provoni lajmin e rremë, ose të jepni llogari deri në një para ligjit, si mashtrues ordinerë, që shfrytëzoni gjendjen e rëndë për të bërë biznesin e ndyrë me lajme të rreme.
Zgjidhni….. /e.s/