Inxhinieri Sokol Kikino thotë se ka ardhur koha që të bëhet Vetting në inxhinieri, ndërsa shtoi se pasgoditjet e tërmetit të 26 nëntorit do të vazhdojnë për 2-3 muaj.
“Tërmetet me magnitudë mbi 6 japin pasgoditje për 2-3 muaj pas. Kështu që jemi në normalitet. Ky tërmet na zbuloi të palarat. Ka ardhur koha që duhet bërë Vetting në inxhinieri. Në ka diçka që shqiptarët duhet të mësojnë kësaj radhe është se duhet bërë Vetting edhe në inxhinieri. Duhet të kalojnë në filtër të gjitha licensat, duhet një ndërhyrje radikale në legjislacion, në mënyrë që të ketë frikë”, deklaroi Kikino në News24.
Më tej, inxhinieri iu bëri thirrje të gjithë kolegëve, në mbarë vendin, që të zbresin në terren për të parë nga afër gjendjen e ndërtesave të dëmtuara.
“Bëra një verifikim vullnetar në Durrës. Populli shqiptar betejën e ka me panikun, jo me tërmetin. Shqipëria është në gjendje të jashtëzakonshme dhe në këtë gjendje bëhen dhe veprime të jashtëzakonshme. Ju bëj thirrje kolegëve, siç bëra unë me kolegët e mi që i dërgova në terren për të punuar.
Nuk mund ta bëjnë as 20 grupe, por duhet të jenë më shumë, dhe kryesisht inxhinierë që kanë punuar. Njerëzit presin shpresë reale, ne japim shpresë shkencore. Të mos harrojmë se tërmeti i parë nuk ndodhi në shtator, ne jemi shkundur mirë në verë”, shtoi ai. /e.s/