Përpara bashkisë së Durrësit pasditen e sotme vijonin që të qëndronin ende rreth 200 persona që kërkonin zgjidhje. Ata kërkojnë që bashkia të vendosë se cfarë do të bëjë me ta dhe ku do të zhvendosen, pasi thonë se kanë disa ditë jashtë.
“Këtu vijoj që në orën 10:00 jam me djalin. Edhe thonë mos hyni brenda edhe nuk veprojnë. Dje isha në urgjencë, jam bërë gjak”, tha një e moshuar.
“Mua më thanë ik këtu, ik atje se do të marrim me autobus. Kështu nuk punohet. Nëse nuk bëhet gjë sonte le të na thonë. Një pjesë futen, një pjesë dalin, asnjë përgjigje. Ka anashkalime”, tha një tjetër.
“Kam pesë ditë që fle në çadër. Nuk dua as ushqim dhe asgjë, vetëm të më strehojnë, jam 77-vjeç. Jemi strehuar te shkolla tani na nxorën. Këtu po pres se cfarë do të bëjnë këta të bashkisë”, tha një tjetër banor i qytetit të Durrësit.
“Edhe për ndihmë kam nevojë. Ishim në katin e pestë, pallati është i pabanueshëm. Banor te lagja nr. 12 te tregu i frutave”. “9 muaj sa e kisha blerë shtëpinë vajti 80 mln leke dhe nuk e gëzova. Tani po bëjmë një javë jashtë, shpresoj të na ndihmojnë”, theksoi një tjetër banore për Report Tv. /e.s/