Dëmet e shkaktuara nga tërmeti në Tiranë duket se do të jenë të konsiderueshme. Gazeta “Si” pa nga afër situatën në disa pallate, nga ata që konsiderohen si “pallate të reja” në zonën e “Astirit”.
Nga ajo që pamë ne terren ishin godina shumëkatëshe bosh, ku banorët kanë frikë që të rikthehen për të vijuar jetën normalisht. Një pjesë janë larguar që prej së martës tek të afërm, kryesisht në rrethe, ndërsa ata që janë ende në Tiranë na thonë se flenë nëpër makina, furgonë, ose hotele. Shumë po mendojnë të zhvendosen me qira nëpër zona të tjera të kryeqytetit, duke lënë pas investimin e një jete
Dëmet janë të konsiderueshme. Nga një vëzhgim i shpejtë në terren, gazeta “Si” identifikoi të paktën 6 pallate që kanë krisja të forta në mure. Banorët thonë se nuk kanë mbërritur ende grupet e verifikimit të sigurisë së godinave dhe janë në pritje të tyre.
Deri atëherë, ata këmbëngulin se do të qëndrojnë jashtë dhe nëpër shtëpitë e tyre do të rikthehen herë pas here sa për të marrë rroba, larë, apo për të ruajtur apartamentet nga hajdutët.
Paradoksi është se 5 nga 6 pallatet që pamë në terren janë të ndërtuar nga 2012 deri në 2014 dhe vetëm njëri prej tyre ishte i vitit 2007.