Gjatë vizitës së zhvilluar në Hong Kong si pjesë e delegacionit të kryesuar nga Kryeministri Edi Rama, Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri mbajti një fjalë në forumin “China Energy Fund Committee” ku merrnin pjesë zyrtarë shumë të lartë të Hong Kongut si dhe përfaqësues nga bizneset më të rëndësishme në sektorin e energjisë elektrike.
Në një njoftim për shtyp ministria e Energjisë, bën të ditur se, kreu i Energjisë Gjiknuri, ju drejtua edhe Forumit të Investimeve dhe Tregtisë Hong Kong-Shqipëri ku merrnin pjesë investitorë nga Hong Kongu dhe përfaqësues të bizneseve kryesore në Shqipëri.
Gjiknuri deklaroi se Shqipëria po krijon një treg të qëndrueshëm në sektorin e energjisë ku të mund të nxisë investimet serioze. Sipas tij, ka histori suksesi se Devoll Hydropower, Ayen dhe Verbund. “Po përmiresohet legjislacioni që të kalojnë nga skemat BOT në marrjen e riskut nga vet biznesi”, theksoi Gjiknuri.
Më tej, ai nënvizoi faktin se Shqipëria ka potenciale në burimet hidro ndërsa aktualisht po investohet ndërsa janë 2-3 projekte të reja për hidrocentrale.
Shqipëria, në vlerësimin e ministrit synon që brenda vitit 2020 të jetë plotësisht e lidhur me vendet fqinje përmes linjave të interkonjeksionit ç’ka do ta maksimalizojë mundësinë e shitjes së energjisë në periudhat e pikut.
Gjiknuri u ndal edhe në sektorin hidrokarbur duke sqaruar se edhe aty ka potenciale të pashfrytëzuara. Ai njohu të pranishmit me rezultatet e garës për dy blloqet e fundit ku rezultuan fituese gjigandi Shell dhe israelitët e Delek Group.
“Duhet të mos harrojmë se gazsjellësi TAP e rrit sigurinë për Europën dhe e bën çmimin më konkurues. Me zhvillimet e reja të gjetjeve në Mesdhe , Shqipëria po kthehet gradualisht në një rrugë kyçe për furnizimin me gaz, në drejtim të Europës por edhe Kroacisë- Europës Qendrore”, u shpreh ministri Gjiknuri.
Ai ftoi investitorët e Hong Kongut që të shohin me interes edhe industrinë minerare ku Shqipëria ofron mundësi në shfrytëzimin e kromit, hekurit, bakrit dhe nikelit.
ATSH