Të gjithë njësitë e Bashkisë së Durrësit janë të organizuara dhe në terren pranë qytetarëve.
Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Valbona Sako deklaroi se janë marrë të gjithë masat për të ndihmuar çdo familje e cila ka nevojë për të kapërcyer këtë situatë qoftë me strehim ashtu edhe me ushqime. “Jemi shumë të organizuar, madje të koordinuar. Duhet ta dini që ka tre ditë që është krijuar Shtabi Qëndror i përqendruar në qytetin e Durrësit.
Është një shtab ministror. Unë jam gjithë kohës në terren dhe koordinoj të gjitha veprimet në qytetin e Durrësit. Realisht situata është në dorë dhe këtë jua them me bindje sepse jam pika e koordinimit për të gjithë qytetin e Durrësit. Do të thotë, akomodim për çdo individ.
Aktualisht mund t’ju them se ka një procedurë që në varësi të banesës, kushteve të banesës merr një vendim tek njësitë administrative dhe çfarë nevojash ka dhe paraqitet për nevojën në adresën e caktuar, qytetari merr shërbimin e caktuar.
Në katin e parë të bashkisë janë punonjës të bashkisë të cilët marrin çdo nevojë dhe e cila transferohet në pikën e koordinimit që kemi sipas nevojave, e merr përgjigjen edhe kërkesa e çdo qytetari. Qytetarët të ruajnë qetësinë, të mbështesim njëri-tjetrin. Bashkia e Durrësit bashkë me qeverinë qendrore jemi të organizuar si kurrë më parë për ta menaxhuar sa më mirë. Duhet të kuptojmë se jemi në emergjencë, është një situatë humanitare ”, theksoi Sako.
Kryebashkiakja Sako sqaroi edhe çështjen e shpërndarjes së ushqimeve në Pallatin e Sportit, ku nënvizoi se gjithçka po bëhet në mënyrë të kontrolluar, edhe pse ka pasur qytetarë që kanë tentuar që të përfitojnë në mënyrë abuzive duke u paraqitur disa herë.
“Kur flasim për pallatin e sportit janë ndihma që janë depozituar në ditën e parë dhe kanë shkuar pikërisht na Pallatin e Sportit sepse rezerva e shtetit është e mbushur plot. Madje ndihma edhe tani që flasin vazhdojnë të vijnë nga partnerët tanë ndërkombëtarë dhe për efekt depozitimi, janë kryesisht në Pallatin e Sportit dhe në shkollën “Leonik Tomeo”.
Ndërkohë në Pallatin e Sportit janë një grup vullnetarësh prej 50 vjetësh që po seleksionojnë sipas grupmoshave ndihmat që kanë ardhur në veshje për ti transportuar në pikat e strehimit. Të shkojnë në njësitë administrative, të regjistrohen si dhe pasi të listohen si të tillë, shpërndarja do të bëhet e organizuar”, tha Sako, teksa shtoi se ndihma po vijon edhe në zonat rurale ku po shpërndahen edhe çadra në ato familje që refuzojnë që të akomodohen në hotele apo në pikat e përcaktuara nga Bashkia për strehim provizor.