Kryeministri Edi Rama ka shpallur sot gjendjen e jashtëzakonshme edhe në qytetin e Laçit, i cili rezulton të jetë mjaft i dëmtuar nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, Rama tha se mirëkupton opinionin e kreut të opozitës dhe se ndan të njëjtin shqetësim me të se Laçi përfshihet në këtë perimetër, ndaj dhe sot ka vendosur ta përfshijë në program.
“Mirëkuptoj opinionin e kryetarit të opozitës, se Laçi përfshihet në këtë perimetër, them se na përputhen shqetësimet dhe idetë. Ne sot duhet të përfshijmë edhe zonën e prekur të Laçit në të njëjtin program. Ka filluar puna për pastrimin e hotspoteve në Durrës dhe Thumanë. Është bërë shembja e godinave të rrezikshme në Thumanë, ku ishim mbrëmë deri vonë. Po ashtu edhe në Durrës ka nisur puna për pastrimin e gërmadhave, ku nuk ka më operacion kërkim-shpëtimi”, tha kreu i qeverisë.
Më tej Kryeministri Rama kërkon që në Komitetin Kombëtar të Rindërtimit të përfshihet edhe opozita me dy përfaqësues, ndërsa shtoi se çdo qindarkë do të bëhet transparente dhe nuk do të ketë abuzim.
“Çdo qindarkë do të bëhet transparent ku shkoi, do të ketë shumë sy, shumë palë që do të kenë akses në këtë pikë. Unë do të vlerësoja dhe ne do të ishim vlerësuar në rast se opozita do të përfshinte në Komunitetin Kombëtar të Rindërtimit me dy përfaqësues qoftë në aspektin financiar apo teknik.
Nuk kemi çfarë ndajmë, nevojën e përbashkët për të bërë më të mirën për njerëzit Ky komunitet nuk është komisioni i reformës zgjedhore, as i dekriminalizimit dhe as i ndarjes së engjëjve dhe djajve. Në këtë ditë pa diell dhe në këtë punë që do të vazhdojë e papërfshirë dhe e pacënuar nga avazi politik që diskutohet është mirë që të jemi bashkë dhe punojmë bashkë”, tha Rama.
/a.r