Qyteti i Vlorës mund të konsiderohet më shumë se kurrë sot edhe qyteti i flamurit, pasi ka ofruar një ndjenjë të lartë solidariteti me të mbijetuarit e tërmetit tragjik që goditi vendin mëngjesin e 26 nëntorit.
Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri që është dhe drejtues politik i kësaj force politike për këtë qark ka deklaruar se një numër i madh biznesesh por edhe familjesh vlonjate kanë hapur dyert për të gjithë ata që sot kanë mbetur të pastrehë për shkak të tërmetit shkatërrimtar.
Gjiknuri shprehet se në total deri më tani në këtë qark ofrohen 1385 shtretër, kryesisht në hotele, por edhe vila e apartamente, në të cilat deri tani janë sistemuar 810 persona të prekur nga tërmeti dhe vijojnë të mbeten të lira edhe 575 shtretër.
“Vlora e Flamurit nuk kishte si të ishte ndryshe veçse Vlora e solidaritetit,” shprehet Gjiknuri.
“Operatorët turistikë kanë vënë në dispozicion 1385 shtretër dhe deri më tani kanë garantuar strehim për 810 banorë të prekur nga tërmeti në Durrës dhe Tiranë. Edhe 575 shtretër janë ende të lirë dhe Shtabi i Emergjencave po koordinon nevojat në terren,” deklaron deputeti socialist.
Gjiknuri ka publikuar edhe listën me emrat e të gjithë hoteleve dhe personave që iu janë gjendur pranë të prekurve nga tërmeti tragjik në këtë fatkeqësi, duke hapur dyert, zemrën dhe gjithçka nevojitet për të përballuar këtë moment të vështirë.