Tërmeti tragjik që ndodhi mëngjesin e së martës në orën 03:54 bëri bashkë shqiptarët nga e gjithë bota. Të shumtë kanë qenë personat që kanë ofruar dhe vazhdojnë të ofrojnë ndihma si shuma parash, vende strehimi, ushqime, veshmbathje apo dhe ndihma të tjera, për gjithë të prekurit nga tërmeti.
Emisioni “NIN” në Klan Kosova, mbrëmë i është dedikuar të lënduarve nga tërmeti. Në studio kanë qenë të ftuar këngëtarë si Lori, Mozzik dhe Kushtrim Sheremeti.
Një ndër telefonatat ka qenë ajo e zonjës Gjyljeta nga Peja e cila vuan nga kanceri. Kjo e fundit ka ofruar 50 euro për të mbështetur sadopak të lënduarit nga tërmeti. Teksa ka kërkuar informacion për procesin e transferimit të parave, zonja është përlotur duke shkaktuar emocion dhe lot tek të ftuarit në emision.
“Unë jam e sëmurë nga kanceri. Dëshiroj t’i dhuroj 50 euro”, ka thënë ajo mes lotëve në emisionin ‘NIN’ në një linjë telefonike të drejtpërdrejtë për donacione për ta ndihmuar Shqipërinë.
Ky gjest i zonjës përloti të ftuarit që ishin në studio dhe u bënë pjesë e iniciativës për të mbledhur sa më shumë para për të ndihmuar të prekurit e tërmetit.
Kosova ka qenë ndër të parët që na ofroi mbështetjen e plotë. Shqiptarët e Kosovës kanë hapur dyert e banesave të tyre për të mirëpritur familjet që kanë ngelur pa një çati mbi kokë.
Të gjithë janë përfshirë duke ndihmuar në të gjitha format për gjendjen që po kalon Shqipëria pas tërmetit që mori jetë njerëzish, la shumë të lënduar dhe shkaktoi dhe dëme materiale.
Kamionë të mbushur me ndihma janë nisur drejt kufirit të Shqipërisë, në të gjitha komunat e Kosovës në formë të organizuar janë mbledhur veshmbathje, ushqime dhe batanije të cilat do të dërgohen në Shqipëri. /e.s/