Parlamenti serb pritet të shqyrtojë një strategji mbrojtëse, e cila do të përfshijë një dispozitë që parashikon se kërcënimi i sigurisë së serbëve që jetojnë jashtë kufijve të Serbisë, nënkupton se rrezikohet automatikisht siguria e vetë Serbisë. Ministri serb i Mbrojtjes Vulin tha se shteti serb tani është mjaft i fortë për të mbrojtur njerëzit e tij.
Ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin deklaroi se së shpejti në Parlamentin serb do të paraqitet një strategji mbrojtëse, e cila do të përfshijë, ndër të tjera, një dispozitë që parashikon se kërcënimi i sigurisë së serbëve që jetojnë jashtë kufirit nënkupton se rrezikohet automatikisht siguria e Serbisë.
Vulin i tha Radio Beogradit se shteti serb tani është mjaft i fortë për të mbrojtur njerëzit e tij, dhe shtoi se një Serbi e fuqishme është gjithashtu garantuese e paqes në Ballkan.
Ky ligj përbën një sinjal “lufte” të Beogradit me Kosovën, ku politika zyrtare serbe i mëshon fort tezës se serbët e Kosovës ndihen të kërcënuar në territorin e Kosovës. Këto zhvillime në Serbi ndodhin ndërkohë që Shtetet e Bashkuara dhe vendet e mëdha evropiane po përpiqen të ndihmojnë në arritjen e një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi.
Po kështu, në Kosovë, përmes procesit të decentralizimit janë krijuar komuna me shumicë serbe përfshirë edhe Mitrovicën e Veriut dhe tensionet ndëretnike janë pothuajse inekzistente. Në Kosovë ka edhe një prani të madhe ndërkombëtare, veçanërisht forcat e NATO-s, të cilat japin siguri për të gjithë dhe serbët e Kosovës janë po aq të mbrojtur sa gjithë të tjerët. /abcnews.al