Nga Artur Ajazi
Kreu i shtetit vetëm një ditë pasi u kërkoi shqiptarëve “të mbledhin 50 mijë firma që të zhvillojë referendum”, ka deklaruar se “ditën e hënë do të propozojë idenë konkrete për çështjet që do të shtrojë përpara shqiptarëve”.
Meta tha se “populli nëpërmjet 50 mijë firmave, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji”, dhe nga ana tjetër vazhdimisht akuzon klasën politike se nuk miraton ligjin “për zbatimin e këtij detyrimi kushtetues” që e bën të pamundur referendumin. Kreu i shtetit ka deklaruar se “përballë kësaj situate kur politika nuk mban përgjegjësi, do të bëjë çdo gjë për t’ia dhënë fjalën sovranit”.
Por cilit popull do ti drejtoheni ju zoti Meta, cilit popull i drejtoheni ju, kur nuk jeni zgjedhur nga populli por nga Parlamenti ?
Cilit popull i drejtoheni ju zoti Meta, atij populli që e keni braktisur gjithmonë kur keni patur pushtet, atij populli që është mashtruar dhe blerë nga komisarët e LSI gjithmonë kur ka patur votime në Shqipëri ?
Cilit popull do ti drejtoheni ju zoti Meta, atyre që jetojnë në skamje dhe mizerabilitet kur ju jetoni në luks të shfrenuar, cilit popull do ti drejtoheni ju zoti Meta, atij populli që ka sot fëmijët rrugëve, të pashkolluar dhe të sëmurë pasi nuk kanë mundësi financiare, kur ju i shkolloni në shkollat më të shtrenjta të Europës ?
Cilit popull do ti drejtoheni ju zoti Meta, atij populli që e zhgënjyet duke ç‘dekretuar zgjedhjet e 30 qershorit, dhe duke rrezikuar ta fusni vendin në konflikt civil, cilit popull do ti drejtoheni ju zoti Meta, kur dihet se partia juaj nuk ka ( dhe as ka patur) as elektorat dhe as rreputacion sot në Shqipëri, përveç faktit se i keni afruar njerëzit në çdo rast duke i mashtruar ose blerë votën e tyre.
Cilit popull do ti drejtoheni ju zoti Meta, kur keni afro 1 vit që bëni “sehirxhiun” tek kanë ndodhur ngjarje të shëmtuara në bulevardin e Tiranës (që nga djegia e institucioneve) dhe qytetet e tjera të vendit ? Cilit popull do ti drejtoheni ju zoti Meta, kur e dini fare mirë, se ju ka munguar vazhdimisht mbështetja e tij ?
Cilit popull do ti drejtoheni për “referenduam” ju zoti Meta, atij populli që u shokua nga qëndrimet, fjalët, fjalimet, sharjet, dhe akuzat tuaja ndaj ambasadorëve të SHBA dhe vendeve të BE ?
Populli e ka bërë zgjedhjen e tij zoti Meta, ka zgjedhur rrugën drejt BE, dhe jo rikthimin tek 1997, ku të çojnë deklaratat tuaja, populli e ka bërë zgjedhjen e tij, duke të braktisur pas daljes hapur kundër reformës në drejtësi, pas daljes hapur kundër faktorit ndërkombëtar, populli e ka bërë zgjedhjen e tij qysh në 1992, duke shembur diktaturën komuniste, dhe nuk përkrah më, asnjë diktator të vogël që mundohet të shigjetojë lirinë dhe demokracinë e vendit, nga frëngjitë e bunkerit tënd.
Nuk i mbledh dot kurrë 50 mijë firma ti zoti Meta, nuk i mbledh sepse nuk firmos asnjë shqiptar për “referendumin” tënd, vetëm në rast se i ble ato 50 mijë firma, duke besuar se amerikanët dhe europianët janë “ushtarët” e bunkerit tënd.