Dy emigrantë të paligjshëm shqiptarë janë burgosur për drejtimin e një fabrike droge prej 450,000 paund në Birmingham. Policia zbuloi se çdo dhomë – përveç njërës – në një shtëpi në Quinton ishte përdorur për të rritur kanabis.
Rajmond Dani, 24 vjeç dhe Adrian Gollakij, 29 vjeç, u dënuan me 18 muaj pasi pranuan akuzën për prodhimin e drogës.
Policia zhvilloi kontrolle në banesë më 12 maj të këtij viti.
Njëri prej oficerëve tha se fabrika e drogës “ishte formacioni më i madh dhe më profesional” që kishte parë gjatë 20 viteve karrierë në forcën e policisë.
Gollakij u arrestua në kopshtin e pasmë pasi u përpoq të ikte ndërsa Dani u gjet në korridor.
Kishte tre dhoma në katin e parë dhe katër sipër, ndërsa edhe kuzhina ishte përdorur për të rritur kanabisin.
Oficerët gjetën gjithsej 541 bimë – së bashku me një qese të madhe kanabisi.
Policia gjeti edhe pajisje për rritjen e bimëve.
Raj Punia, duke ndjekur penalisht rastin në Gjykatën e Kurorës në Birmingham, deklaroi se njëri prej oficerëve u kishte thënë se ai ishte grupi më i madh dhe më profesional që kishte parë.
“Ky ishte një plantacion i planifikuar mirë dhe i sofistikuar”, tha hetuesi Michelle Heeley.
John Brotherton, avokati i Danit, tha se kishte ardhur në Mbretërinë e Bashkuar duke menduar se do të punonte në ndërtim.
Avokati i shqiptarit tjetër, tha se ai ishte i arsimuar dhe se shpresonte të krijonte një jetë më të mirë në Britani.
Të dy burrat i thanë policisë se ishin në borxh ndaj njerëzve që i kishin ndihmuar të shkonin në Mbretërinë e Bashkuar.