Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një deklarate të shkruar në Facebook, ka bërë me dije arsyet përse presidenti i Austrisë, Heinz Fischer, nuk do t’u drejtohet deputetëve të Kuvendit. Ai ka thënë se ka qenë dëshirë e tij që të mbajë një fjalim para të zgjedhurve të popullit, mirëpo ka thënë se “arsyet dihen” përse një gjë e tillë nuk do të ndodhë, duke aluduar në bllokadën që opozita ia ka shkaktuar Kuvendit.
“Këtë javë kemi një mysafir të veçantë në Kuvendin e Kosovës, presidentin e Austrisë z. Heinz Fischer. Ishte dëshira e tij, e një miku të nderuar të vendit tonë, që t’u drejtohet me një fjalë rasti të zgjedhurve të popullit të Kosovës. Fatkeqësisht, kjo nuk do të ndodhë. Arsyet janë të qarta dhe të kuptueshme, bllokimi i dhunshëm dhe antidemokratik i punës së Kuvendit”, ka thënë Veseli, raporton Koha.net.
“A është kjo është alternativa e opozitës për vendin? Të izolojë Kosovën dhe ta lërë atë pa miq në këtë botë të trazuar? A është kjo tradita jonë e mikpritjes kur të vjen miku në shtëpi për të nderuar dhe ti nuk ke mundësi ta nderosh?”, pyet në fund kryeparlamentari Veseli.